
Gjykimi i shumëpërfolur ndaj të akuzuarve si përgjegjës për “tragjedinë e Gërdecit”, i nisur në korrik të vitit 2009, në Gjykatën e Tiranës, ka hyrë në fazën përfundimtare.Treshja gjyqësore që po shqyrton këtë dosje, pas afro 180 seancash, mbylli dje shqyrtimin gjyqësor dhe i dha kohë prokurorisë për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare. Sipas gjykatës, pretenca e prokurorisë do të lexohet në seancën e datës 3 tetor. Në këtë seancë, trupa gjykuese do të njihet me qëndrimet e akuzës dhe kërkesat për fajësi apo jo ndaj 29 të pandehurve, mes të cilëve, biznesmenit Mihal Delijorgji, ish-drejtorit të fabrikës së demontimit, Dritan Minxolli dhe ish-kreut të MEICO-s, Ylli Pinari. Por, ndonëse e mbërritur në këtë fazë, treshja gjykuese u përball dje me kërkesën e një prej mbrojtësve për “përjashtimin” e tyre si gjykues të dosjes. Mosndërprerja e seancës dhe vijimi i saj edhe pas kësaj kërkesë, revoltoi avokatët, të cilët u larguan nga salla.
SEANCA
Në seancën e djeshme, avokatët mbrojtës të të pandehurve në proces i dhanë fund depozitimit të provave shkresore. Mbrojtësi i ish-drejtorit të uzinës së Poliçanit, shprehu para gjykatës pretendimin se, për të provuar akuzat e prokurorisë për falsifikim ndaj klientit të tij, duhet të bëhej një ekspertizë. Avokati kërkoi kryerjen e një ekspertimi daktilografik të firmës së Lavdi Shatros. Kërkesa në fjalë nuk u pranua nga gjykata. Në vijim, duke e konsideruar këtë vendim si të njëanshëm, avokati i të pandehurit Shatro kërkoi përjashtimin e trupës gjykuese. Më herët, për parregullsi të akteve të dosjes pretendoi edhe avokati mbrojtës i të pandehurit Ardian Mullahi, ish-sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas avokatit, në dosje ndodhej një dokument jo origjinal dhe i manipuluar. Para trupit gjykues ai u shpreh se “prokuroria pretendon se Mullahi ka iniciuar mbledhjen e Komisionit të Shitjes së Municioneve, ndërkohë që, sipas shkresës origjinale, ish-sekretari i Ministrisë i drejtohet Drejtorisë së Logjistikës”. Po sipas avokatit, në dokumentin e pretenduar prej tij si të manipuluar, ky subjekt mungon. Një seancë më parë, gjykata u shpreh mbi kërkesat e avokatit të të pandehurit Mihal Delijorgji. Në vendimin e saj të ndërmjetëm, gjykata i rrëzoi të gjitha kërkesat, mes të cilave edhe thirrjen në proces të ish-administratorit amerikan të “SAC-Albademi”, Patrik Henri dhe amerikanëve të tjerë, ish-punonjës të fabrikës së demontimit.
5 mije
banesa u dëmtuan dhe mbi 300 persona janë plagosur nga tragjedia e Gërdecit pas bilancit tragjik të 26 personave që humbën jetën si pasojë e shpërthimit në fabrikën e demontimit të municionit
Manovra e avokatëve kundër gjykimit
TIRANË – Verdikti gjyqësor mbi kërkesën e avokatit të të pandehurit Lavdi Shatro, mund t’i japë një kthesë “të frikshme” procesit gjyqësor të dosjes Gërdeci. Në një kohë kur procesi ka kaluar mbi tre vjet nga nisja e tij, zgjidhja e kësaj mund të “hedhë në erë” gjithçka. Kjo për shkak se, në rast se pranohet, gjasat për të rifilluar shqyrtimin me një trupë të re gjyqtarësh do të ishte e pashmangshme. Sipas rregullores dhe precedentëve të mëparshëm, në rastet kur trupi gjykues ka ndryshuar pa dhënë ende vendimin gjyqësor, është dashur që shqyrtimi i dosjes penale të fillojë nga e para. Kjo pasi ligji shprehet se asnjë gjyqtar nuk mund të japë vendim pa parë të gjitha faktet që ndodhen në dosje.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











