Gërdeci, mungesa e ekspertit shtyn seancën

Feb 26, 2011 | 11:00

TIRANE – Seanca e djeshme gjyqësore e dosjes “Gërdeci” në Gjykatën e Tiranës nuk u zhvillua normalisht. Pak minuta pasi deklaroi hapjen e seancës, trupa gjykuese vendosi shtyrjen e  saj. Shkak i shtyrjes së seancës në ngarkim të 29 të pandehurve të akuzuar për shpërthimin e 15 marsit 2008, u bë mosprania e njërit nga pesë ekspertët e thirrur para gjykatës. Bëhet fjalë për ekspertët të cilët kanë përgatitur aktin e ekspertimit ekonomiko-financiar të paraqitur nga Prokuroria në proces. Pas paraqitjes së tij në proces, avokatët kërkuan pyetjen para gjykatës të ekspertëve që e kishin përpiluar. Një seancë më parë, gjykata administroi mbi 140 pyetje të avokatëve, përgjigjet e të cilave do t’i jepnin ekspertët. Dje në seancë ishin paraqitur ekspertët Bexhet Zeqiri, Ymer Stafa, Latif Çela dhe Rasim Metallari. Eksperti Edmond Hoxha nuk ishte paraqitur, ndonëse ishte lajmëruar nga gjykata. Për shkak të mospranisë së të pestë ekspertëve, avokatët kërkuan dje shtyrjen e seancës, kërkesë që u pranua nga trupa gjykuese. Të pranishëm në seancë dje ishin edhe të pandehurit Ylli Pinari, Dritan Minxolli dhe Sokol Ngjeci. ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura