Gërdeci, ish-zv.shefi i Shtabit: Jam i pafajshëm, faktet u shtrembëruan

Jan 14, 2012 | 12:14
Agim Lala ne nje nga seancat per gjyqin e Gerdecit

TIRANE – Agim Lala, ish-zv.shefi i Shtabit të Përgjithshëm, i akuzuar si një nga shkaktarët e shpërthimit tragjik të 15 marsit 2005 në Gërdec, i kërkoi dje Gjykatës së Tiranës deklarimin e tij të pafajshëm. I paraqitur vetë në seancë ai lexoi para treshes gjykuese argumentet mbrojtëse kundër akuzave të prokurorisë, e cila ka kërkuar dënimin e tij me 4 vjet burg. Pasi shprehu keqardhje të thellë për të lënduarit nga tragjedia, Lala u shpreh se ai nuk e kishte kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” nga kuadri komandues. Ish-zv.shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA tha se për rastin e Gërdecit ai nuk kishte zëvendësuar ndonjëherë ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm dhe as i ishte deleguar ndonjë kompetencë prej tij. “Veprimtaria që përbën bazën e kësaj akuze, objekt gjykimi, është zhvilluar për një kohë të gjatë, pa dijeninë dhe veprimtarinë konkrete timen si zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA. Gjyqësisht është bërë e mundur të provohet se në periudhën për të cilën janë ngritur pretendimet e akuzës, në të gjithë praktikën shkresore që disponon prokuroria apo që ndodhen në Ministrinë e Mbrojtjes, nuk ka asnjë rast të zëvendësimit në detyrë të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA nga ana ime. Nuk ka asnjë delegim me shkrim të tij për mua, asnjë detyrë të vënë me gojë apo me telefon prej tij për mua, asnjë autoritet dhe asnjë detyrë për veprimtarinë e demontimit të municioneve në Gërdec të vënë nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm për zv.shefin e SHP”, u shpreh Lala. Para trupës gjykuese Lala pretendoi se ishte akuzuar pas një “përgjegjësie kolektive” vetëm për shkak të detyrës së tij. “Jam i akuzuar në këtë proces vetëm e vetëm se kam qenë në detyrën e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe pjesë e grupit që ka punuar në atë kohë në Shtabin e Përgjithshëm, duke u ndodhur në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar, pra të një përgjegjësie kolektive”, pohoi Lala. Ai pretendoi se nga ana e prokurorisë, gjatë hetimit nuk ishin vlerësuar drejt provat “por, janë shtrembëruar faktet në mënyrë të hapur dhe nuk janë mbajtur parasysh ligji dhe rregulloret ushtarake që normojnë veprimtarinë, detyrat dhe kompetencat në Forcat e Armatosura”. Lala e përjashtoi veten e tij edhe nga vendimmarrjet për përcaktimin e vendit të Gërdecit. Sipas tij, praktikat ligjore për Gërdecin nuk ishin hartuar prej tij dhe as kaluar nëpërmjet tij.             ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura