Genti Lako rikthehet pas gjashtë vitesh në media

Dec 3, 2011 | 14:30

Kompozitori i njohur, Genti Lako, i rikthehet eksperiencës së punës në media pas gati gjashtë vitesh nga largimi i tij nga “Top Channel” dhe “Top Albania Radio”. Këtë herë Lako është autor i një programi muzikor rinor me titull “Jo vetëm hite”,  që transmetohet çdo të shtunë në orën 15:40 në ekranin e “Albanian Screen” (AS). Ishte ky televizion që i dha mundësinë kompozitorit të njohur të shumë hit-eve në muzikën shqiptare për të realizuar këtë program, që ka në thelb muzikën e momentit dhe këngëtarët më të njohur. Nga vetë titulli, programi që zgjat 60 minuta është ndërtuar me disa disa rubrika të veçanta, si për shembull: “VIP online”, që zbulon atë çfarë ndodh në faqet e vipave në Facebook apo Twitter, fotot dhe komentet më interesante të pasqyruara në faqet e tyre zyrtare, apo rubrika “Suprizë në skype”, ku çdo të shtunë një personazh i caktuar lumturohet duke marrë mesazh surprizë nga një mik i afërt. Boshti i programit që prezantohet nga Borana Kalemi është ndërtuar me hitparade-in e këngëve më të mira shqiptare dhe prezencën në program të këngëtarëve të ndryshëm dhe personalitete nga fusha të ndryshme të artit në Shqipëri, të cilët japin përshëndetjet e tyre speciale për teleshikuesit e televizionit “AS”. Ky program muzikor është një nga projektet e fundit muzikore të këtij televizioni, ndërkohë që thuhet se janë duke u përgatitur projekte të reja. Në “Jo vetëm hite” dallohet stili i veçantë i Gentit në ideimin dhe realizimin e këtij programi, një stil që e ka dalluar atë në krijimtarinë e tij muzikore në vite. Për sa i përket jetës së tij jashtë televizionit, tashmë është konfirmuar si pjesëmarrës në Festivalin e 50-të në RTSH, me një krijim që do të këndohet nga Xhensila Myrtezai, ndërkohë që vazhdon punën si krijues në studion e vet muzikore.

© Panorama.al

Te lidhura