Forcat e Gedafit po sulmojnë pa mëshirë qytetet që janë në duart e rebelëve, ku po vriten dhjetëra rebelë e civilë. Sulmet me artileri të rëndë kanë përfshirë qytetin Zintan, në perëndim të vendit, qytetin Misrata në lindje, qytetin Ajdaybia dhe Zauiyah.Nga qytetet në duart e rebelëve, vetëm Benghazi ka mbetur plotësisht i sigurt pas bombardimeve të forcave të koalicionit mbi objektet ushtarake të Gedafit, që po shkaktonin një katastrofë njerëzish në qytetin ku ndodhej paria e rebelëve, Këshilli Nacional. Në qytetin Zauiyah, forcat e Gedafit janë fshehur në një xhami nga ku pritet të kryejnë sulmin e tyre të radhës. Qyteti duket se është pothuajse plotësisht i rrafshuar, sipas korrespondentëve perëndimorë në terren. Një dëshmitar në Misrata ka përshkruar tmerrin në këtë qytet, në të cilin, prej shumë ditësh zhvillohen luftime mes rebelëve dhe forcave të Gedafit. Mjekët në qytetin në duart e rebelëve po operojnë njerëz me plagë plumbash dhe shrapneli në korridoret e spitalit, pas sulmeve të forcave qeveritare që vranë dhjetëra dhe plagosën qindra nga banorët të martën. “Këtu është një katastrofë. Ne i kërkojmë organizatave humanitare të ndërhyjnë sa më shpejt për ndihmë mjekësore dhe ushqime”, tha një banor në lidhje telefonike me “Reuters”. Një banor tjetër tha se katër fëmijë ishin copëtuar nga bombat, ndërsa prindërit e tyre përpiqeshin t’i nxirrnin jashtë qytetit. Pamja ishte vërtet e frikshme, ndërsa prindërit kishin shpëtuar dhe ishin të shokuar. Tanket e Gedafit vazhdojnë të qëndrojnë në qytet dhe ushtarët qëllojnë pa pushim dhe me snajperë. Në qytetin Zintan, sipas korrespondentit të “Al Jazeera”, dhe në Ajdaybia vazhdojnë sulmet me artileri të rëndë. Nuk ka informacione se sa ka shkuar numri i viktimave deri tani, por në këto qytete dhe rrugët e tyre shiheshin vetëm shtëllunga të zeza tymi. Pasdite, forcat e koalicionit kanë sulmuar mbi mjetet ushtarake të Gedafit në këto zona. Mercenarët dhe besnikët e liderit libian nuk kanë asnjë plan për t’u tërhequr nga beteja.
Pse operacioni quhet “Odiseja në agim”
Ndërhyrja ushtarake e SHBA-ve në Libi është quajtur “Odiseja në Agim”, por emërtimi nuk ka të bëjë me shkrimtarin e lashtë grek, Homerin. Pentagoni ka përdorur një gjenerator të kompjuterizuar fjalësh për të spikatur pseudonime për misionet e Departamentit të Mbrojtjes. Procesi i emërimit të misioneve merret shumë seriozisht nga ushtria. Sistemet moderne të emrave, “Fjala kod, Pseudonimi dhe Gjeneratori i Ushtrimit të Termave” i publikuar si NICKA, u krijua fillimisht në vitin 1975. Pentagoni iu drejtuar teknologjisë, pasi emrat e përdorur zakonisht nga komandantët, si “Operacioni Vrasësi” gjatë luftës koreane dhe “Operacioni Masha” i Vietnamit, kanë nxitur stuhi mediatike. Kompjuteri seleksionon dy inicialet e operacionit. Komandantët më pas konsultohen mbi një liste prej 60 emrash të koduar, deri sa të marrin vendimin përfundimtar.











