GDP-ja, ja rajonet me peshë më të madhe në vend

Sep 10, 2011 | 11:56

Tirana, Fieri dhe më pas Durrësi janë rajonet me peshë më të madhe në vend, sa i përket prodhimit të brendshëm bruto, sipas përllogaritjeve të INSTAT për vitin 2009.Në raportin e publikuar dje, Instituti i Statistikave vlerëson se PBB-ja për frymë për Shqipërinë në vitin 2009 ishte 360 mijë lekë, ndërsa e ndarë në rajone, Shqipëria Qendrore vlerësohet të ketë një PBB për frymë prej 467 mijë lekësh. Më i ulët shfaqet ky tregues për pjesën veriore të vendit, ku PPB-ja për frymë është 300 mijë lekë, kurse në Jug 301 mijë lekë. Mënyra e përllogaritjes së INSTAT e ndan Shqipërinë në 11 rajone “Niveli më i lartë i PBB për frymë në vitin 2009 ishte në Tiranë me 51.2 për qind mbi mesataren e vendit. PBB për frymë në 11 rajonet statistikore në Veri ishte nën mesataren kombëtare me variancë nga 68.8 për qind në prefekturën e Dibrës, në 94 për qind në Durrës. Të marrë nga pesha sipas rajoneve, INSTAT në raportin e tij për 2009-n vëren se pesha ndaj PBB-së për rajonin qendër ka një peshë prej 46.4 për qind të totalit të Shqipërisë, i ndjekur nga rajoni Jug me 29.2 për qind, ndërsa rajoni Veri me 24.3 për qind. Të marrë sipas rajoneve, Kukësi ka peshën më të vogël të totalit të PBB-së me 2.3 për qind, kurse Tirana më të lartën me 37.9 për qind.
Kostoja e prodhimit
Indeksi i çmimeve të prodhimit ka pësuar rritje gjatë tremujorit të dytë, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Sipas INSTAT, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të prodhimit është + 3.3 për qind. Rritje të kostos së prodhimit kanë pësuar gjatë periudhës prill-qershor industria nxjerrëse, industria përpunuese, ku brenda saj përfshihen industria ushqimore me një rritje 1.4 për qind. Rritje ka pësuar gjatë tremujorit të dytë të vitit edhe indeksi i çmimeve të prodhimit për produktet vendëse me 0.2 për qind, krahasuar me tremujorin e parë të 2011-s.

Rriten kostot e ndërtimit

Rritje të moderuar me vetëm 0.2 për qind krahasuar me një vit më parë, ka pësuar indeksi i kushtimit në ndërtim për tremujorin e dytë të këtij viti, kurse krahasuar me një tremujor më parë indeksi ka pësuar ulje. Janë këto të dhënat e publikuara nga INSTAT, lidhur me kostot e biznesit të ndërtimit. Sipas këtyre të dhënave, disa kosto të rritura ishin ato të shpenzimeve materiale, shpenzime page.

360 mije leke
vlerësohet PBB-ja për frymë në Shqipëri për vitin 2009, sipas të dhënave të publikuara së fundi nga INSTAT

467 mije leke
vlerësohet PBB-ja për frymë për nivelin qendror të Shqipërisë, ku shfaqet edhe një mirëqenie më e lartë

300 mije leke
vlerësohet PBB-ja për frymë për pjesën veriore të vendit, ndërkohë që për Jugun kjo PBB është 301 mijë lekë

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura