Gazi shkakton tragjedi, vdes çifti i të moshuarve në Borsh

Mar 16, 2011 | 12:00

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen vonë të së hënës në fshatin Borsh të Sarandës.Shpërthimi i një bombole gazi për ngrohje ka bërë që të humbasin jetën brenda një periudhe kohore prej pak orësh çifti Bedo dhe Fatime Mici, 82 dhe 79 vjeç. Sipas burimeve të policisë dhe të spitalit të Sarandës, ngjarja e rëndë u shënua pak para mesnatës. Çifti i të moshuarve jetonte i vetëm në banesën e tyre në zonën bregdetare, pasi fëmijët i kishin në emigracion. Mësohet se për t’u ngrohur ky çift përdorte një bombol të madhe gazi. Bashkëshortët e kanë ndezur sobën e gazit si zakonisht mbrëmjen e së hënës, pa arritur të dallojnë ndonjë defekt në të. Papritur, pas ngrohëses nisi të rridhte gaz dhe menjëherë ka shpërthyer zjarri. Më afër ngrohëses ndodhej gruaja, Fatimja, e cila është përfshirë nga flakët. E ndërsa 79-vjeçarja Fatime Mici po luftonte me flakët e zjarrit, bashkëshorti i saj, që gjatë gjithë ditës kishte pasur probleme me tensionin e lartë, doli nga shtëpia duke kërkuar ndihmë te komshinjtë për atë që po ndodhte në shtëpinë e tij. Por tronditja e shkaktuar te 82- vjeçari për atë që përjetoi i shkaktoi një goditje në zemër atij, duke i sjellë vdekjen pa iu dhënë ndihma mjekësore. Nga mjekët e Sarandës u përcaktua se një atak kardiak kishte qenë vdekjeprurës për Bedo Micin. Fqinjët e ndodhur menjëherë në familjen Mici e shuan zjarrin dhe bënë transportimin e 79-vjeçares drejt spitalit të Sarandës. Sipas burimeve spitalore mësohet se Fatime Mici ka shkuar në spital në gjendje shumë të rënduar. Trupi i saj ishte djegur në masën 90 për qind dhe se djegia ishte e gradës së katërt. Edhe pse ndërhyrja mjekësore në spitalin e Sarandës ishte e menjëhershme, nga gjendja e saj tepër e rënduar dhe me djegie pothuajse në tërë turpin, nuk mundi të shpëtonte dot nga vdekja. Në orën 03:30 ndërroi jetë edhe Fatime Mici, pa e marrë vesh që burri i saj kishte vdekur disa orë më parë. Në vendngjarje ka shkuar edhe grupi hetimor i Komisariatit të Policisë së Sarandës për të kryer veprimet. Nga të dhënat e para konfirmohet se shkak për të sjellë vdekjen e dyfishtë në familjen Mici është bërë derdhja e gazit nga tubi i bombolës. Dy trupat e pajetë të të moshuarve janë dërguar në morgun e qytetit. Ata do të qëndrojnë në morg derisa të vijnë fëmijët e tyre nga emigracioni për t’i marrë që andej dhe për t’iu dhënë lamtumirën e fundit. Policia tha se nga zjarri ka pësuar dëmtime të konsiderueshme edhe banesa e viktimave, por gjithsesi flakët janë shuar me ndihmën e banorëve si dhe të zjarrfikëseve që mbërritën pas sinjalizimit të dhënë.

 

SARANDE/SHPRESA DINE

© Panorama.al

Te lidhura