Gazetari i BBC-së përfundon në çmendinë pasi mori vaksinën e etheve

Dec 5, 2011 | 13:14
Gazetari i BBC, Malcolm Brabant

Malcolm Brabant është një nga korrespondentët më të respektuar të rrjetit gjigant të lajmeve, BBC, i cili shpesh ka mbuluar raportimet e ngjarjeve nga Athina. Por gjatë ngjarjeve të fundit, ai nuk u shfaq më në televizion. Gazeta britanike “Mail on Sunday” ka zbuluar se mungesa e tij nga ekrani gjatë këtij viti ishte nga një sëmundje ekstreme, e nisur pasi ai mori vaksinën e etheve të verdha, “Stamaril”. Brenda pak orësh që kishte marrë injeksionin, temperatura e Brabant arriti kulmin dhe gjendja e tij ishte përkeqësuar me shpejtësi. Ai u bë psikotik dhe besonte se ishte Jezusi. Familja e tij beson se injeksioni i “Stamaril” që ai ka marrë, ka qenë i kontaminuar. Brabant, 55 vjeç, një veteran i vlerësuar me çmime, u shtrua edhe në Kopenhagë, ku jeton edhe gruaja e tij, shkrimtarja e mirënjohur daneze, Trine Villeman. Injeksioni i tij u bë në qendrën e vaksinimit “Atika” në Athinë, ndërsa ai po përgatitej të nisej me punë në Afrikën Perëndimore, në Bregun e Fildishtë. Brenda pak orësh nga injeksioni, temperatura e tij u rrit në 40 gradë celsius dhe nuk ulej. Gazetari u shtrua në një spital privat në Athinë dhe nuk arrinte të ndante realitetin nga imagjinata. Ai i kishte telefonuar të shoqes duke qarë, i bindur se ishte Jezusi. Përshëndeste personalitetet që shfaqeshin në televizion, sikur të ishte duke dialoguar me ta. Në familjen e tij nuk kishte histori të sëmundjeve mendore. Pas Greqisë, ai u shtrua në spitalin psikiatrik në Britani e më pas edhe në Danimarkë. Gjatë dy muajve të fundit, ai ka pasur mpiksje gjaku në mushkëri. Zonja Villeman javën e kaluar nisi një peticion online për të drejtën e marrjes së përfundimeve të hetimeve nga firma gjigante farmaceutike franceze, “Sanofi Pasteur”, e cila ka prodhuar “Stamaril”. Ajo kërkoi shtimin e hetimeve mbi këtë rast.

Vaksina e detyrueshme
Rasti i gazetarit ngre pyetje mbi mijëra njerëz që kanë marrë vaksinën “Stamaril”. Gjiganti farmaceutik francez këmbëngul që vaksina është në rregull. “Stamaril” është një vaksinë e detyrueshme në aplikimet për viza në shumë vende, përfshirë pjesën më të madhe të Afrikës. “Sanofi Pasteur” ka marrë të dhënat mjekësore të Brabant në maj dhe ka dalë në përfundimin se gjendja e tij nuk ka lidhje me vaksinën. Por mjeku i Brabant në Athinë nuk la asnjë dyshim për familjen, se gjendja e tij ishte shkaktuar nga vaksina.

© Panorama.al

Te lidhura