Tre shqiptarë kanë mbetur të plagosur, pas sulmit pa arsye të një grupi serbësh në Veri të Mitrovicës. Disa serbë me tri makina kanë kaluar rreth orës 11:00 në Lagjen e Boshnjakëve dhe kanë qëlluar me armë zjarri kundër shqiptarëve. Kanë qenë rreth shtatë ekstremistë serbë, të cilët të maskuar dhe me tri makina kanë shtënë me armë zjarri ndaj shqiptarëve, që ishin duke punuar në kuadër të një projekti të USAID-it për pastrimin e lumit Ibër. Tre qytetarët e lënduar shqiptarë po trajtohen në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Mitrovicë, kurse për tre të tjerë ende nuk dihet se ku janë. Edhe më herët ishte raportuar se gjendja në Mitrovicë ishte e tensionuar për shkak të ndërhyrjes së trupave të KFOR-it për të hequr barrikadat serbe që bllokonin rrugët në Veri dhe reagimit agresiv të serbëve, të instruktuar nga strukturat paralele që kontrollohen nga Beogradi. Sulmi ndaj shqiptarëve ndodhi një ditë pasi katër ushtarë të KFOR-it që qëndronin në Veri të Kosovës, në pikën kufitare në Jarinë, u plagosën kur një grup serbësh i sulmuan ata, pasi kishin provokuar edhe me të shtëna me armë zjarri. Një prej tyre është plagosur rëndë, çka solli edhe kundërveprimin e ushtarëve të KFOR-it me plumba gome, ku u plagosën edhe disa serbë. Ngjarja shënoi sulmin e parë kundër paqeruajtësve kosovarë, që kur nisën bisedimet e reja mes Kosovës dhe Serbisë, dhe u konsideruan nga ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, si “mbushje kupe” e sjelljes së serbëve, me gjithë tolerancat e vazhdueshme nga qeveria e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare. Situata po shkon çdo ditë e më shumë drejt një lufte reale, me shumë shtete të fuqishme në botë që shprehin shqetësim për prishjen e paqes, e cila gjithmonë në këtë pjesë të vendit ishte vlerësuar e brishtë. Sinjalizim i përkeqësimit të situatës ishte edhe largimi i delegacionit serb nga Brukseli pa u ulur në tryezën e bisedimeve me palën kosovare, por vetëm pas konsultave me përfaqësuesin e BE-së dhe atë të SHBA-së mbi Veriun, ku duket qartë se pala serbe nuk ka marrë rezultatin që dëshironte. Ndërprerja e bisedimeve do të ndikojë edhe më keq në acarimin e situatës së Veri. Kreu i delegacionit serb menjëherë u bëri thirrje serbëve të mos i heqin barrikadat, pa marrë parasysh asnjë rrethanë.
Hetime e paralajmërime
Ndërkohë që trupat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë kanë paralajmëruar se barrikadat do të hiqen dhe se ata do të qëllojnë këdo që i sulmon ata apo cenon paqen në Kosovë, e cila është arritur me shumë kosto nga të gjitha palët e përfshira. “NATO njeh të drejtën për protesta paqësore e të ligjshme, por bllokimi i trafikut përmes barrikadave dëmton tregtarët dhe konsumatorët, si dhe krijon një situatë të rrezikshme që kërkon reagime emergjente”, thuhet në një njoftim të Aleancës. Trupat paqeruajtës paralajmëruan reagimin ndaj akteve të dhunës, duke vlerësuar se kthimi i protestave në akte dhune imponon NATO-n të veprojë. Edhe misioni europian në Kosovë i ka dënuar ngjarjet e dhunshme në Veri në vendit dhe ka hapur një hetim ndaj tyre. Zëdhënësi i EULEX-it, Nikolas Hauton, tha se aksioni i KFOR-it është pjesë e operacionit të përbashkët me EULEX-in. Bashkimi Europian e dënoi fuqishëm incidentin dhe bëri thirrje për përmbajtje nga të gjitha palët, duke shprehur njëkohësisht përkrahje të plotë ndaj forcave të KFOR-it dhe misionit të BE-së për të hequr barrikadat serbe.
Thaçi: Plani për Veriun do të vijojë
Kryeministri Hashim Thaçi, i sapokthyer nga Nju Jorku, është shprehur i vendosur për të përfunduar punën e nisur në Veri të Kosovës. Ai ka deklaruar se do të vazhdohet me largimin e barrikadave dhe me zbatimin e planit operacional, i cili është hartuar javë më parë në bashkëpunim me ndërkombëtarët. “Do të vijohet me heqjen e barrikadave dhe nuk do ketë asnjë pengesë që do bllokojë vendosjen e rendit dhe ligjit në veri”, ka deklaruar Thaçi. Kryeministri u ka bërë thirrje serbëve lokalë që të tregojnë vullnet për bashkëpunim, t’i kthehen paqes dhe u ka premtuar atyre se qeveria e Kosovës do t’u qëndrojë pranë. Ai pranoi se problemet në Veri janë disavjeçare dhe se, për këtë arsye, nuk mund të zgjidhen shpejt. “Problemet e krijuara në 12 vite, s’mund të zgjidhen në 1 apo 2 muaj. Është e rëndësishme që ka filluar e mbara për pikën 1 dhe 31″, tha Thaçi.
12 vjet
kanë kaluar me përpjekje të njëpasnjëshme të dështuara nga ndërkombëtarët dhe qeveria e Kosovës për të marrë nën kontroll Veriun e Mitrovicës
Shqipëria
Qeveria shqiptare ka shprehur shqetësim të madh për dhunën që po shtohet ora-orës në Veri të Kosovës dhe sulmin kundër shqiptarëve e komunitetit ndërkombëtar atje. Ministria e Punëve të Jashtme po ndjek me shqetësim të veçantë dhunën e përsëritur të strukturave paralele dhe bandave kriminale serbe në Veri të Kosovës dhe së fundmi në afërsi të pikës kufitare të Jarinës. “Mbështesim qeverinë e Kosovës, KFOR-in dhe EULEX-in, për zbatimin e Marrëveshjes së 5 gushtit dhe 2 shtatorit, për largimin e barrikadave, që cenojnë dhe pengojnë qarkullimin e lirë të mallrave dhe të njerëzve”, thuhet në njoftim.
Rusia
Reagimi i Moskës zyrtare mbi dhunën në Veri i drejtohej KFOR-it dhe, sipas tyre, dhunës së përdorur kundër serbëve atje. “Jemi të shqetësuar për dhunën e forcave të KFOR-it ndaj banorëve serbë dhe veçanërisht për informacionet në lidhje me hapjen e zjarrit ndaj një autoambulance që transportonte të plagosur serbë”, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Jashtme ruse. Ata kanë kërkuar zbatimin e parimit të neutralitetit. Ambasadori Aleksandër Konuzin deklaroi se problemet duhet të zgjidhen përmes bisedimeve, nga të cilat duhet të dalin zgjidhje në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
SHBA
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka dënuar fuqishëm sulmin dhe dhunën kundër shqiptarëve, në grupin multietnik prej 41 punonjësish. Ata ishin të punësuar në projektin e USAID-it për përmirësimin e jetesës së komuniteteve në Mitrovicën veriore. “Viktimat e sulmit ishin serbë dhe shqiptarë të Kosovës, boshnjakë e të tjerë. Të gjithë ishin thjesht qytetarë, të cilët punonin për të marrë një pagë modeste”, thuhet në njoftim-reagim. Ambasada e dënoi përdorimin e dhunës nga persona, të cilët “ndjekin axhendë politike të së kaluarës dhe minojnë mirëqenien publike”.
Vdes dëshmitari i grupit të Limajt
Agim Zogaj, i njohur si “dëshmitari X” në rastin “Kleçka”, ku po hetohen anëtarë të grupit të UÇK-së, të njohur si grupi i Fatmir Limaj nën akuza për krime lufte, është gjetur i pajetë në një park në Gjermani. Autoritetet gjermane kanë nisur hetime për të përcaktuar rrethanat e vdekjes së tij, ka bërë të ditur ky mision. Deri tani dyshohet që Zogaj të jetë vetëvrarë mbrëmjen e së martës. Ai ishte dëshmitari kryesor në rastin “Kleçka”, ku deputeti Fatmir Limaj, bashkë me tetë bashkëluftëtarë të tij, akuzohen për krime lufte. “Dëshmitari X” kishte inkriminuar Fatmir Limajn për shumë krime në Kleçkë. Ai kishte deklaruar se afër tre prillit 1999 atij i thanë se Fatmir Limaj kishte urdhëruar vrasjen e Velko Markoviçit dhe Nebojsha Gjuriçit, dy oficerë të Policisë serbe, të cilët ishin të paraburgosur në shtëpitë e djegura në Kleçkë, për rreth tre muaj.
© Panorama.al











