Barazimi në “San Siro” ndaj Romës ka qenë një tregues i një përmirësimi të pranueshëm që e ka ulur disi tensionin në ambientin zikaltër. Të paktën përkohësisht i ka dhënë më shumë kohë Xhanpiero Gasperinit për t’u përpjekur që t’i japë skuadrës një fytyrë të re që, mbi të gjitha, të jetë fituese. Sipas të përditshmes italiane “Corriere dello Sport”, Masimo Morati mund të vendosë për fatin e numrit një të pankinës së Interit pas pushimeve për ndeshjet e kombëtareve, që do të zhvillohen në ditët e para të tetorit. Tani nuk ka kohë, duke pasur parasysh impenjimet e shumta dhe të shpeshta, që nga ndeshja me Novarën deri në transfertën e Ligës së Kampioneve në Moskë, por do të vendoset me qetësi fati i Gasperinit, në momentin e pushimeve. Ndërkohë, një tjetër pikë e mospërputhjes së trajnerit Gasperini me presidentin Morati është edhe Xhampaolo Pacini. Përpara fillimit të kampionatit, numri një i klubit zikaltër e ka bërë të qartë që Pacini duhet të luajë. Por, kjo “dëshirë” e tij nuk është respektuar nga ish-tekniku i Xhenoas: në fakt sulmuesi italian nuk ka luajtur asnjë minutë në kampionat, vetëm 56 në Champions dhe nuk ka shënuar asnjë gol. Ish-i i Sampdorias ka zbritur pas Militos, Forlanit dhe Zarates në listën e preferencave të Gasperinit. Këto janë zgjedhje legjitime të një trajneri, pavarësisht se në këtë rast duket mungesë totale besimi nga ana e tij. Prova më bindëse vjen në minutën e 79-të të Inter-Roma, ndërsa rezultati ishte 0-0, Gasperini vendosë të heqë nga fusha Forlanin. Të gjithë kanë menduar se kishte ardhur radha e Pacinit, por në fakt vendin e uruguaianit e zë Muntari. Pavarësisht se Gasperini është përpjekur të ulë tensionin, duket se gjërat mes tij dhe Pacinit nuk shkojnë mirë.











