Gara në Tiranë, 6210 vota të pavlefshme

May 13, 2011 | 9:43

Ndërkohë që diferenca në Tiranë mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës varion nga 950 në 1200 në favor të kandidatit demokrat, një rol të rëndësishëm në këtë rezultat kanë luajtur edhe votat e pavlefshme. Në të njëmbëdhjetë njësitë bashkiake të kryeqytetit rezulton se numri i këtyre votave është 6210, ndërkohë që në total, janë rreth 18 mijë vota. Përsa u përket njësive bashkiake, rezulton se në Njësinë Nr. 4, ku ka fituar me 140 vota Basha, si dhe në Njësinë Nr. 11, ku ka fituar sërish kandidati i PD-së me 2682 vota diferencë, është konstatuar i njëjti numër votash të pavlefshme, 882 vota. Në të njëjtën kohë, njësia me numrin më të vogël të votave të pavlefshme është Njësia Nr. 10, me 264 fletë të pavlefshme.
Kodi Zgjedhor
Nëse në zgjedhjet e 8 majit do të kishim si rregullator Kodin e vjetër Zgjedhor, votat e pavlefshme do të ishin beteja e radhës për kandidatët Basha dhe Rama. Në Kodin e vjetër, i cili u shfuqizua në fund të vitit 2008, një dispozitë e tij parashikonte që kur diferenca mes dy kandidatëve ishte më e vogël se numri i votave të pavlefshme, njëri prej garuesve kishte të drejtë t’i drejtohej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rivlerësimin e këtyre votave. Por, në Kodin e ri, ekspertët e Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste vendosën të mos e fusnin këtë nen. Megjithatë, Kodi i ri ka lënë një hapësirë për t’u shfrytëzuar nga kandidatët lidhur me votat e pavlefshme. Nëse në një KZAZ ku janë numëruar fletët e votimit rezulton se ka një numër votash të kontestueshme, megjithëse ato janë llogaritur për njërin kandidat, kandidati tjetër mund t’i drejtohet Komisioni Qendror të Zgjedhjeve brenda tri ditësh për t’i rivlerësuar ato vota. Kushti i vetëm që KQZ-ja ta marrë në shqyrtim një kërkesë ankimore të këtij lloji është që numri i votave të kontestuara të jetë pasqyruar në procesverbalin e KZAZ-së dhe votat të jenë futur në një zarf të veçantë. “Në rast se edhe pas rivlerësimit ka fletë votimi të kontestuara, numëruesi i parë, ose çdo anëtar, thërret KZAZ-në për vlerësimin e votave të kontestuara të asaj kutie. KZAZ-ja bën vlerësimin në çast të secilës fletë votimi të kontestuar dhe merr vendim në lidhje më të. Rezultati i shpallur nga KZAZ-ja shënohet në librin e protokollit të KZAZ-së dhe përfshihet në tabelën përkatëse të rezultatit të qendrës së votimit që harton grupi i numërimit të votave”, thuhet në pikën 4 të nenit 118 të Kodit Zgjedhor.

Kodi Zgjedhor

Në nenin 117 të Kodit parashikohet se vota është e pavlefshme kur fletës së votimit i mungojnë vulat e parashikuara në nenin 103 të këtij Kodi; në fletën e votimit janë bërë shënime apo shenja që e bëjnë të pamundur vlerësimin e votës; në fletën e votimit janë bërë shënime në favor ose në disfavor të subjekteve të caktuara zgjedhore; është votuar për më shumë se një nga subjektet zgjedhore në fletën e votimit; nuk është votuar për asnjë nga subjektet zgjedhore në fletën e votimit.

Të dhënat

Njësia             Votat e
Bashkiake         pavlefshme

Njësia Nr. 1    502
Njësia Nr. 2    607
Njësia Nr. 3    471
Njësia Nr. 4    882
Njësia Nr. 5    480
Njësia Nr. 6    858
Njësia Nr. 7    501
Njësia Nr. 8    317
Njësia Nr. 9    446
Njësia Nr. 10    264
Njësia Nr. 11    882

© Panorama.al

Te lidhura