Gafa me Haradinajn, Islami: Turp i Ramës

Dec 12, 2011 | 13:02

“Fajin për gafat e Edi Ramës e ka Saliu, Tanja Fajon dhe LMN-ja”

“Fajin për gafat e Ramës e ka Saliu, Tanja Fajon dhe LMN”. Kështu shprehet deputeti socialist, Kastriot Islami, në adresën e tij të rrjetit social Facebook, ku sqaron të vërtetën për e mail-in e PS drejtuar AAK-së në Kosovë, ku kërkohet takim me Ramush Haradinajn.  Islami shprehet se “ashtu si shumë të tjerëve, edhe mua më ka ardhur në e mail-in tim shkresa që PS i ka nisur zotit Haradinaj tri ditë pasi kjo çështje ishte trajtuar në shtyp. Këtë shkresë ua kam shpërndarë edhe disa gazetarëve, të cilëve unë u kam adresën për t’ju vënë në dispozicion dokumentin e skanuar”. Sipas tij, kjo që ka ndodhur me protokollin e PS është përgjegjësi e vetë kryetarit socialist, i cili ka shkrirë postin e sekretarit për Marrëdhëniet me Jashtë. “Kjo që ka ndodhur me protokollin e PS, nuk është lapsus, por shprehje e shkatërrimit të eksperiencës në PS…
Po të ishte sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë në PS, gafa nuk do të kishte ndodhur… Heqja e kësaj strukture është përgjegjësi direkte e Ramës… Shkresa për takim me Haradinajn është një turp për ekipin e ri, Ramën dhe PS aktuale që tregon nevojën për njerëzit me eksperiencë dhe përgjegjësinë e largimit të tyre…
Imagjinoni se ç’mendojnë në Kosovë, kur ai që synon të jetë kryeministër i Shqipërisë, nuk di që një nga liderët kryesorë është në Hagë…”, shprehet Islami në adresën e tij në rrjetin social Facebook. Deputeti socialist i kërkon kreut të PS të kërkojë falje publike për akuzat që i janë bërë për gjoja manipulim të lajmit. “Gafa me shkresën për Haradinajn pas gafës me Tanja Fajon për Griseldën, është një paralajmërim i keq për marrëdhëniet me jashtë në qeverisjen e ardhshme, nëse PS fiton në 2013-n… Rama në vend që të reflektojë për gafën që i vendos në dyshim të gjitha marrëdhëniet e tij dhe të PS-së me Kosovën, nxit falangat sulmuese. Nëse gafa nuk është e vërtetë, urgjentisht Rama duhet ta përgënjeshtrojë ose, nëse kjo është e vërtetë, duhet të kërkojë falje publike”, shprehet Islami për këtë çështje.

Protokolli
Përmes një shkrese zyrtare dërguar Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, protokolli i Partisë Socialiste kërkonte një takim të kryetarit socialist, Edi Rama, me kreun e kësaj partie Ramush Haradinaj, i cili ndodhet i burgosur në Gjykatën e Hagës. Kjo shkresë, e cila u bë publike përmes mediave, u kontestua jo zyrtarisht nga selia rozë, por përmes disa mediave u akuzua deputeti socialist se kishte manipuluar një e mail me një kërkesë të pavërtetë.

Sekretari i Përgjithshëm i AAK sqaron
Ramadani: PS kërkoi takim me Haradinajn, të gjithë e dinë në Hagë

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, i kontaktuar dje me telefon, tha se ka marrë kërkesën e PS-së për të takuar zotin Haradinaj. Sipas tij, kjo është parë si çështje e protokollit dhe jo si një çështje gafe apo keqkuptimi tjetër. “Ne kemi marrë një kërkesë nga Partia Socialiste për takim me kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj. Ne e pranuam zotin Rama në takim në partinë tonë dhe e konsideruam kërkesën e bërë nga PS si një problem që kishte të bënte me protokollin e kësaj partie dhe jo si gafë. Në AAK ne nuk e shohim si gafë këtë gjë, sepse nuk ka shqiptar në botë që nuk e di se Ramush Haradinaj është në Tribunalin e Hagës duke u gjykuar”, u shpreh Ramadani. Duke folur për aleancat dhe bashkëpunimin me partitë politike shqiptare, sekretari i Përgjithshëm i AAK-së shprehet se kjo parti ka aleat strategjik në Shqipëri Partinë Demokratike. “Ne, si Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kemi si partner strategjik në Shqipëri Partinë Demokratike të zotit Sali Berisha, por kjo s’do të thotë se raportet me Partinë Socialiste dhe zotin Rama janë të këqija”, u shpreh Ramadani. Pak ditë më parë, kreu socialist gjatë një vizite treditore në Kosovë, zhvilloi një takim në selinë e AAK-së, ku uroi kthim sa më të shpejtë të Ramush Haradinajt “me orë të plota në krye të kësaj partie dhe në krye të të gjithë anëtarësisë së saj”. Gjithashtu Rama zhvilloi dhe një vizitë në shtëpinë e Haradinajve, të cilët dërguan pas disa ditësh një letër falënderimi për këtë nderim që ata i bënë familjes së tyre.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura