Vizita e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, në Kosovë dy javë më parë është shoqëruar me një gafë nga kabineti i tij. Përpara se të udhëtonte drejt Prishtinës, stafi i kryesocialistit, mes të tjerash, ka kërkuar një takim edhe me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ish-kryeministri kosovar ndodhet prej disa vitesh në Hagë, ku po gjykohet për krime lufte në vitin 1999. Ky fakt duket se është harruar prej stafit të Ramës. “I nderuar z. Ramadani, së pari, dëshiroj t’ju uroj punë të mbarë dhe të shpreh kënaqësinë e veçantë që po komunikoj me ju. Dëshiroj t’ju informoj se kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, zoti Edi Rama, do të zhvillojë një vizitë pune në Kosovë në datën 28 nëntor 2011. Në kuadër të kësaj vizite, kryetari i PSSH dëshiron të ketë një takim me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj. Duke shpresuar në një përgjigje sa më të shpejtë nga ana juaj, përfitoj nga rasti t’ju shpreh sigurimet e konsideratës sime të lartë”, thuhet në letrën e dalë nga Partia Socilaiste. Lidhur me këtë gafë të kryetarit të PS-së ka reaguar dje edhe ish-sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në këtë parti, Arta Dade. E pyetur se përse ndodhin gabime të kësaj natyre, në një prononcim për gazetën “Panorama”, deputetja socialiste tha: “Keqardhje që individë pa ekspertizë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare marrin përsipër detyra të rëndësishme që nuk kanë aftësi t’i kryejnë. Kjo krijon kosto në marrëdhëniet me miqtë apo partnerët ndërkombëtarë”. Gjatë qëndrimit në Kosovë, Rama zhvilloi takime me përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së. Kreu socialist e festoi Ditën e Flamurit në Prishtinë. Ai e nisi vizitat me takimin me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila tha: “Demokracia parlamentare në Shqipëri ka arritur sukses. Në Shqipëri ka përafrim me standardet dhe në parimet mbi të cilat duhet të ecë vendi dhe se të ardhmen e saj e shohim në integrimet euroatlantike dhe në anëtarësimin në Bashkimin Europian”.
“Kosova dhe Shqipëria po avancojnë në proceset integruese europiane. Duhet realizuar aspirata e brezave të rinj për integrimin europian duke inkurajuar këtë proces nëpërmjet thellimit të reformave”, u shpreh Rama. Ai u shpreh se vizita e tij në Kosovë realizohet pikërisht në Ditën e Flamurit, si një simbolikë.











