
Renditje e spitaleve dhe qendrave shëndetësore, sipas cilësisë së shërbimit që ofrojnë. Do të jenë vetë pacientët ata që do të zgjedhin ku të trajtohen. Të njëjtat kritere do të zbatohen edhe për privatët.Po kështu, mjekët tashmë do të mbajnë përgjegjësi për gabimet mjekësore, pasi do të krijohet një sistem i detyrueshëm raportimi për çdo pacient dhe mënyrën si është kuruar. Çdo 5 vjet, çdo spital apo poliklinikë do të futet në “sitë” për cilësinë. Procesi tashmë ka nisur. Brenda një harku kohor 2-vjeçar, procedurën e akreditimit duhet ta kenë përfunduar të gjitha institucionet shëndetësore. Gjithçka u bë me dije gjatë konferencës që mbajtën dje ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili dhe drejtori i Qendrës së Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit, Isuf Kalo. Ata bënë publik nisjen e procesit të akreditimit të institucioneve shtetërore dhe shpjeguan para medias risitë e vendimit të fundit të qeverisë “Për miratimin e Rregullores për procesin e akreditimit të institucioneve shëndetësore”. “Sot, kemi një shprehje të një niveli të lartë qeveritar. Ky proces simulon dukshëm një kompeticion mes institucioneve. Tashmë shëndetësia shqiptare ka hyrë në një rrugë pa kthim. Publiku dhe pacienti shqiptar tashmë e kupton qartë se cila është cilësia”, tha ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Sipas tij, akreditimi është një nga sfidat më të rëndësishme në përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë në institucionet shëndetësore. Kjo mundëson përmirësimin e cilësisë së kujdesit dhe rritjen e performancës së institucioneve shëndetësore në përputhje me standardet e miratuara. “Tashmë është përgatitur paketa e standardeve, sipas të cilave do vlerësohen institucionet shëndetësore, respektivisht: spitalet, qendrat e kujdesit parësor, shërbimet stomatologjike, shërbimet farmaceutike dhe ato laboratorike, si dhe gjithë institucionet që ofrojnë shërbim shëndetësor.”,tha Vasili. Ndërsa kreu i QCSA-së, Isuf Kalo, theksoi se akreditimi përfaqëson konfirmimin publik të kompetencës profesionale të pretenduar nga institucioni, e vlerësuar kjo përkundrejt standardeve paraprakisht të miratuara nga Ministri i Shëndetësisë dhe të publikuara. “Qëllimi final i akreditimit është përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë, sigurisë, dhe performancës së institucioneve shëndetësore nëpërmjet veprimtarisë së ndërgjegjshme të brendshme për të arritur dhe përmirësuar vazhdimisht standardet”, tha Kalo. Ai shtoi se akreditimi i mbron pacientët, konsumatorët dhe qytetarët nga praktika e keqe mjekësore, ajo e rrezikshme apo abuzive.
Rregullorja
Sipas rregullores për akreditimin e institucioneve shëndetësore, QKCSA-ISH do të dërgojë rekomandimin e Këshillit të Akreditimit në Ministrinë e Shëndetësisë. Në rastet e rekomandimit pozitiv ose të përkohshëm, ai do të jetë i shoqëruar me certifikatën përkatëse të akreditimit. Ministri i Shëndetësisë do të firmosë ose jo brenda një afati kohor 30-ditor, certifikatën e akreditimit bazuar në rekomandimin e Këshillit të Akreditimit dhe ia dërgon atë QKCSA-ISH.
Indikatorët
Efektiviteti klinik:
• Përdorimi i profilaksisë dhe trajtimit me barna
• Përqindja e rishkrimeve
• Vdekjet në urgjencë
Plotësimi i kartelave
Siguria:
• Ngjarje të padëshiruara nga gjaku
• Reaksionet nga medikamentet
• Gabimet e procedurave
• Gabime të mjekimit
• Vdekjet nga sëmundjet me vdekshmëri të ulët
Stafi:
• Mungesat në punë
• Trajnimet e mjekëve dhe infermierëve
• Të ardhurat dytësore
Eficenca
• Përqindja e kostos totale që përdoret për pacientin
• Ditëqëndrimi mesatar në spital
• Shfrytëzimi i shtratit
Higjiena
• Prania apo ekzistenca e një numri të caktuar e të mirëvendosura të daljeve emergjente
• Prania e alarmeve të zjarrit dhe pajisjeve të shuarjes së zjarrit
• Prania e ujit të pijshëm dhe elektricitetit
• Mbrojtje të përshtatshme nga rrezatimi
• Mekanizma të sigurt për mbulesat e plehrave të rrezikshme apo me kontaminim
• Mbrojtje nga shoku elektrik, si pasojë e pajisjeve të
montuara
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











