
Takimi i G20 u kthye në një takim për të zgjidhur krizën e eurozonës, pas urgjencës që u ndje më fort kur Kryeministri grek, Papandreu, hodhi “bombën” e referendumit.
Tërheqja e kësaj ideje u mbështet nga liderët europianë. Në takimin që u mbajt në Kanë të Francës dhe do të vazhdojë edhe sot, u fol për krizën e euros, makthin për shpërbërjen e saj dhe efektin domino të krizës greke, i cili duket se tashmë e ka prekur Italinë. Kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, iu kërkua që të zbatojë me urgjencë reforma që do ta çojnë në masa kursimi dhe dalje nga rreziku i borxhit. Por, të gjitha vendet që janë prekur nga kriza e borxhit kombëtar kanë probleme politike, që nuk i lejojnë të çojnë përpara masat e kërkuara nga institucionet financiare të eurozonës dhe më gjerë. Mesazhi që u dha në fjalimet e liderëve që morën pjesë në takim ishte i qartë: gjithçka për të shpëtuar euron, qoftë edhe rrezikimi i ndonjë vendi si Greqia. Si mikpritës i takimit, Nikolas Sarkozi, gjatë fjalimit të tij tha se nuk do të lejojnë kurrsesi “shpërthimin” e euros. Presidenti francez e ka mirëpritur me kujdes vendimin e Greqisë për të hequr dorë nga referendumi mbi planin e shpëtimit të BE-së. Sarkozi tha se të enjten në mbrëmje liderët e eurozonës do të takohen sërish për të parë mënyra të mundshme për ta nxjerrë Europën nga kriza e borxhit. Sarkozi shtoi se “ne nuk mund ta pranojmë shpërthimin e euros, që do të thotë shpërthim për Europën”.
Kancelaria Merkel ra dakord me Sarkozinë, po ashtu edhe kreu i eurozonës, Zhan Klod Xhunker, se duhet bërë gjithçka e mundur për të mos lejuar daljen e një vendi nga eurozona. “Unë jam shumë i vendosur në opinionin se duhet bërë gjithçka që një vend të mos largohet nga shtatëmbëdhjetëshja e euros, por nëse kjo është dëshira e grekëve, dhe unë besoj se është e gabuar, atëherë ne nuk mund t’i detyrojmë ata”, tha Sarkozi.
Eurozona po lufton për të gjetur zgjidhjen për turbullirën politike e financiare në Greqi dhe shqetësimet në rrije për Italinë. Në takimin e mbrëmjes morën pjesë katër anëtarët e eurozonës që janë gjithashtu përfaqësues të G20: Franca, Gjermania, Italia dhe Spanja, si dhe përfaqësues nga Banka Qendrore Europiane, BE-ja dhe FMN-ja.
Ekonomistët në organe si Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar i kanë ulur parashikimet e tyre mbi recesionin europian të shkaktuar nga strategjia e dy viteve të fundit.
Në Kanë deri të premten do të jetë si temë kryesore diskutimi edhe një plan aksioni kundër rënies së ekonomisë globale dhe një kontroll më i fortë i tregjeve financiare.
Merkel: Euro, më e rëndësishme se Greqia
stabilizuar euron është më i rëndësishëm se Greqia”, kështu u shpreh Kancelaria gjermane, Anxhela Merkel, gjatë samitit të G20. Ajo tha se njoftimi i papritur grek për një referendum ka ndryshuar “situatën psikologjike” dhe liderët europianë tani kishin nevojë të stabilizonin besimin për monedhën e përbashkët.
Obama në G20
Në hapje të takimit dyditor të G20, Presidenti amerikan, Barak Obama, kërkoi vendime të shpejta. Ai tha se stabiliteti në eurozonë nuk mund të arrihet vetëm, por me përparimet në gjithë botën. Obama tha se Europa duhet të nxitojë për të zgjidhur krizën financiare rajonale dhe se zgjidhja e krizës financiare europiane është “aspekti më i rëndësishëm i detyrës sonë gjatë dy ditëve të ardhshme”. Presidenti amerikan tha gjithashtu se “ne do të na duhet të nxjerrim më shumë detaje në pah mbi planin që duhet të zbatohet plotësisht”. Obama shtoi se: “Ne po bëjmë progres, duke punuar së bashku për të zbuluar se si do ta zbatojmë planin, për të siguruar stabilitet të eurozonës, por, dhe të sistemit financiar global”. Por ai siguroi mbështetje të vazhdueshme për partnerët e eurozonës. “SHBA do të vazhdojë të jetë partner me europianët për të zgjidhur këto kriza, tha Presidenti amerikan në G20, në Kanë.
Norma e interesit
Kreu i ri i Bankës Qendrore Europiane, italiani Mario Dragi, është pagëzuar në komentet ekonomike e financiare të mediave si “Super Mario” pasi arriti që me një njoftim të papritur të ngrejë bursat e të rigjallërojë deri diku tregjet financiare. Në luftë kundër krizës së borxheve dhe një rënieje ekonomike në eurozonë, Banka Qendrore Europiane uli në mënyrë të papritur interesin e saj primar. Në mbledhjen e parë të Këshillit të Bankës nën presidentin e ri, Mario Dragi, BQE e uli nivelin e interesit nga 1,5 në 1,25 për qind. Dragi foli në Frankfurt për “pasiguri të mëdha” dhe për rreziqe në rritje për konjukturën në gjysmën e dytë të vitit, si dhe për 2012. Shumicën e ekspertëve ky zhvillim i kapi papritur, sepse kishin llogaritur që interesat do të mbeteshin të pandryshuara. Reagimi i tregjeve ishte pozitiv, çmimi i arit u rrit me 1,5 për qind dhe bursat në të gjithë botën shënuan rritje, jo vetëm ato brenda eurozonës.











