Fytyra e eksodit, në aparatin e gazetarit italian

May 30, 2011 | 9:46

Anijet i panë të gjithë. Ata ishuj njerëzorë në mes të detit mbetën të pashlyeshëm në kujtesën e atyre që panë, atyre që i pritën. Emrat e anijeve që zbarkuan në brigjet italiane në mars dhe gusht të vitit 1991, do të hynin në histori.Zunë faqet e para. Jo vetëm vendi fqinj, por gjithë Europa u trondit nga kjo dyndje masive njerëzish që kërkonin shpresën. Plot 20 vjet nga eksodi shqiptar në Itali po zhvillohen aktivitete njëri pas tjetrit për të kujtuar këtë ngjarje të madhe historike, që shënoi një kthesë të fortë në jetën e shqiptarëve, por edhe vetë italianëve. Prej muajit mars, konferenca, takime, debate, ekspozita i lënë vendin njëra-tjetrës, sidomos në ato qytete që u bënë pritëset e para të refugjatëve. Një prej tyre është ekspozita fotografike “IntegrAzione”, realizuar nga fotoreporteri i njërës prej gazetave më të mëdha italiane “Corriere della Sera”, Vittorio Arcieri. Prej ditës kur së pari u shfaq në ambientet e Ambasadës Shqiptare në Romë, kjo ekspozitë po shëtit në qendra të ndryshme të vijës bregdetare italiane, sidomos në pjesën jugore të saj. Lece, Salento, Acquarica del Capo etj. Mes qindra shkrepjesh të realizuara 20 vjet më parë, Arcieri ka përzgjedhur rreth 30 syresh, të cilat i ka printuar në formate të mëdha, në kontrastet bardhë e zi, duke e theksuar edhe më fortë dramacitetin e atyre ditëve, plot 20 ditë më parë.
Portretet

Disa nga imazhet e ekspozitës “IntegrAzione” të fotografit italian Vittorio Arcieri, hapur në Itali në 20-vjetorin e eksodit shqiptar. Imazhet na kthejnë në brigjet italiane në marsin dhe gushtin e vitit 1991. Nga porti, në qendrat sociale.

Ndryshe nga prindërit e tyre, që ndonëse të lodhur, u lexohet në sy një dritë shprese, ata nuk qeshin. Rrinë më seriozë se të rriturit. Ata nuk e kuptojnë se ç’po ndodh me ta. Mbajnë duart përreth qafës së prindërve. Në ato momente, mes asaj mase lëvizëse, të përbërë nga trupa njerëzish, ai është vendi më i sigurt për ta. Sot ata i kanë kaluar të 20-at. Ndokush prej tyre do të gjejë veten në këto fotoarkiv, që ringjallin eksodin e 20 viteve më parë. Ç’është e vërteta, ajo ngjarje që shënoi marsin dhe gushtin e vitit 1991 na rikthehet herë pas herë përmes fotove të anijeve “Vlora” apo simotrave të saj të mbuluara me njerëz. Pamje të frikshme të njerëzve që varen nëpër litarë, që një zot e di se si mundet të kenë mbijetuar në udhëtimin e gjatë përmes detit. Por, fotoreporteri Vittorio Arcieri na ofron një tjetër panoramë. Jo se ai nuk ka foto me anije, mes të cilave edhe ajo mitike, ku tregohet Porti i Brindizit mbuluar nga mijëra njerëz, por në ekspozitën “IntegrAzione” ai zbret në tokë dhe ndalet në fytyrat e njerëzve. Burra e gra me fëmijë në krahë, vogëlushë që shtrëngojnë në duar një copë bukë, për të shuar urinë e qëndrimit të gjatë në anije, ndërsa prindërit që shpresojnë të shuajnë urinë për liri dhe për një jetë më të mirë për ata. Por dikush tjetër shtrëngon në duar një pasaportë. Simboli i lirisë së mohuar për 50 vjet. Ai fëmijë nuk e dinte se qysh atëherë bashkëkombësve do t’u duheshin edhe 20 vite të tjera, që të mund të udhëtonin pa frikë, pa radhë të gjata, vetëm me një pasaportë. Mes dramës dhe shpresës së një populli në arrati, Arcieri jep edhe vendësit, të cilët në atë kohë shtrinë dorën për të ndihmuar ata njerëz, që ashtu si ata vite më parë po zbulonin Amerikën.
Pas 20 vjetësh
Kanë kaluar 20 vjet qëkur për herë të parë shqiptarët thyen kornizën e hekurt në korrikun e vitit 1990, duke u futur në ambasadat e huaja në Tiranë. Në dhjetor të vitit 1990 do të mbërrinte “nata e demokracisë”, nata që përmbylli ditët e gjata të protestave studentore, në kryeqytetin shqiptar. Ishte fundi i regjimit totalitar. Në 8 mars dhe 8 gusht 1991 fiksohen imazhet e paharrueshme të Vlorës dhe të anijeve të tjera që u ankoruan në portet pulieze: kishin filluar vitet e zbarkimeve dhe të emigracionit në masë, me të cilat Italia duhet të bënte mirë llogaritë. “Ekspozita e Vittorio Arcierit dokumenton me profesionalizëm, por mbi të gjitha me një humanizëm të madh intensitetin e zbarkimeve, fytyrat e emigrantëve, duart e nënave që shtrëngojnë fëmijët, sytë e tyre të ngulur drejt një realiteti tjetër, një të ardhmeje ndryshe, plot shpresë. E, më tej, mikpritja e popullit italian, përkushtimi i forcave të rendit, përpjekjet e institucioneve. Imazhet dokumentojnë njëra pas tjetrës faqe historie për t’u kujtuar të gjithëve domethënien e thellë të fjalës ‘emigrant’”, thonë organizatorët e ekspozitës. “Historia gjithnjë e ka lidhur Italinë me Shqipërinë dhe valë të reja emigracionesh kanë shënjuar vendet tona, duke vizatuar një urë paqeje dhe solidariteti. Jemi thirrur të përballojmë së bashku një rrugëtim plot mundime të përbashkëta, aksione konkrete, që shoqërojnë shpresat e atyre që kanë braktisur vendet e tyre për të jetuar në një tjetër tokë. Kush do që të rritet dhe të sjellë një dëshmi jete, autentike dhe dinjitoze, e di mirë se çdo zgjedhje kalon nga vullneti për të ndërtuar një urë ideale mes kulturave, një lidhje solidare mes dy realitetesh të ndryshme, që plotësojnë njëra-tjetrën. T’i rijapësh gjithë komuniteteve emigrante respektin që meritojnë dhe të rrëzosh të gjitha paragjykimet: ky është objektivi i kujtdo, që ashtu si unë është tërësisht i ndërgjegjshëm që secili është zot i fatit të vet”, thotë Klodiana Cuka, presidente e Integra Onlus, e cila vetë është shembulli konkret i një shqiptareje, që ka arritur të integrohet në shtetin fqinj, Itali.

Si u rrëmbye “Vlora”

“Duhet të them që e kam kuptuar më mirë më vonë, kur kam parë fotografitë e anijes, lexova gazetat e më së shumti kur u përballa me italianët. Por atë ditë ama u ndërgjegjësova se po ndodhte diçka e paimagjinueshme, e pakomandueshme”, kujton 20 vjet më vonë ish-kapiteni i anijes “Vlora”, Halim Milaqi. “Ishte mëngjesi i 7 gushtit 1991 dhe në Portin e Durrësit po shkarkonin sheqerin e transportuar nga Kuba. Papritur pashë që mijëra persona po vinin drejt anijes. Ngjiteshin si të mundnin. Kangjellat ndarëse ishin hedhur përtokë dhe nuk kishte më policë për të ruajtur portin. U përpoqa t’i ndaloja, duke folur me ta, por ishte e pamundur”, thotë kapiteni. “Në të vërtetë e kishim motorin qendror me avari, por disa prej tyre më kërcënuan me armë. Donin të iknin, të shkonin në Itali, donin një jetë më të mirë. Nëse do ta kisha lënë anijen në duart e njerëzve joekspertë, mund të kishte ndodhur e pandreqshmja. Provuam të riparonim motorin dhe e vumë anijen në lëvizje, por kushtet teknike ishin të tmerrshme. Pa llogaritur që për gjithë këta njerëz në bord nuk kishte as ushqim dhe as ujë, aq të ngjeshur, sa siç thuhet nga anët tona, nuk binte molla në shesh”…

Turi i ekspozitës

Pas Acquarica del Capo, e cila për tri ditë priti ekspozitën e fotografit Vittorio Arcieri, Sava është stacioni i radhës i ekspozitës “IntegrAzione”. Deri në datën 22 maj, pritëse e saj ishte kështjella e Otrantos, në Salento, një nga pritëset e para të dyndjes së refugjatëve shqiptarë në vitin 1991. Krahas hapjes së ekspozitës, aty u zhvillua edhe një seri aktivitetesh nën titullin “Ëndrra italiane. Shqipëri-Pulia, 20 vjet më vonë (1991-2001)”, organizuar nga Universiteti i Salentos dhe Komuna e Otrantos, Integra Onlus dhe Ambasada Shqiptare në Itali. Më parë, kjo ekspozitë është paraqitur në Lece, ku gjithashtu është shoqëruar me takime e biseda rreth njërës prej ngjarjeve më të rëndësishme të dhjetëvjeçarit të fundit të shek. XX. Kudo ku ka udhëtuar kjo ekspozitë është vizituar, jo vetëm nga vendësit, të cilët kujtojnë ato ditë të vështira, por edhe protagonistë të asaj kohe, që ndoshta mes asaj turme të lodhur e të pangrënë, gjejnë edhe veten e tyre 20 vjet më të rinj… Rrugëtimi i ekspozitës do të vijojë edhe më tej, në të tjera qytete-porte, deri në mbyllje të këtij viti përkujtimor.

Fotografi

Fotoreporter, gazetar dhe publicist, Vittorio Arcieri ka lindur në Bari dhe momentalisht është fotograf pranë “Corriere del Mezzogiorno” e “Corriere della Sera”, pasi ka bashkëpunuar me “Gazzetta del Mezzogiorno” nga viti 1991 në 1995. Agjencia “Arcieri”, me qendër në Bari, numëron 80 korrespondentë nëpër Itali dhe shpërndan fotografi, video dhe reportazhe specifike në të përditshme të ndryshme. Emigracioni shqiptar ka zënë një vend shumë të rëndësishëm në galerinë e tyre fotografike. Kjo ngjarje është dokumentuar deri në detajet më të imëta dhe ka zënë faqet e para në një numër shumë të madh të përditshmesh dhe revistash italiane.

Zbarkimi në sytë e italianëve…

….Në orën 10 të mëngjesit, anijet e para shqiptare (Lirya, Kallmi, Tirana, Apollonia) kaluan bllokimin e motovedetave të kapitenerisë së portit dhe derdhën mbi molin e stacionit detar ngarkesën e parë të burrave, grave, fëmijëve: numëroheshin 4 mijë, pastaj mijëra, pastaj 3 mijë, pastaj dhe 3 mijë të tjerë. Mbasdite vala vazhdonte me grupe më të vogla nga 100-150 vetë, të ngjeshur nëpër peshkarexha me emra të çuditshëm si “Zagri”, “Mitat Dauti”, “Mors”, “Iuxillia Rasa”, “Sezani”, “Eutrisky”. Numëroheshin edhe ca mijëra të tjerë të ikurish. Në mbrëmje, në 20:30, në bankinën e Sant’Apollinare u ankorua “Legend”, që transportonte 5 mijë të ikur. Të parët që u ngjitën në bord për ndihmë, tregojnë skena apokaliptike…Në një qytet që duket si i braktisur, endeshin të humbur mijëra shqiptarë. Kërkonin kabina telefonike, donin të njoftonin familjet në Shqipëri që ëndrra e tyre e lirisë sapo kishte filluar. Mbi bankinat e portit, vullnetarët shpërndanin panine, ujë, tenda plastike për t’u mbrojtur nga i ftohti. Të ikurit ndeznin zjarre të vegjël, për t’u ngrohur. Flinin përtokë. Nuk ishin rehat, por të lumtur.

 

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura