Komisioneri Europian për Zgjerim, Stefan Fyle, gjatë vizitës së tij në Beograd ka deklaruar se Bashkimi Europian kërkon nga Serbia që të vazhdojë reformat në rrugën drejt BE me prioritet “përparimin e dukshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve me Kosovën”. Sipas REL, Fyle, zyrtari i parë i lartë i BE-së që takoi Presidentin e ri të Serbisë, Tomisllav Nikoliç, tha se ekziston “qartësi dhe transparencë se çfarë pritet nga Serbia për të nisur bisedimet”. Ai tha se në mes të kushteve tashmë të ditura janë edhe ato që kanë të bëjnë me institucionet paralele në veri të Kosovës. Nikoliç tha se kurrë deri më sot, nga askush në BE nuk ka dëgjuar se pranimi i Kosovës është kusht për hyrjen e Serbisë në BE. Ai tha se me Komisionerin Fyle ka biseduar edhe për mënyrat e vazhdimit të dialogut me Prishtinën.











