Komisioneri i BE-së për zgjerimin, Stefan Fyle, tha në televizionin privat serb “B92”, se gjatë vizitës së tij të ardhshme në Serbi vendi do të kujtohet për tri kushtet kryesore që duhet të plotësojë për anëtarësimin në BE. I pari kusht ishte arritja e rezultateve konkrete në bisedimet me Kosovën, i dyti, suksesi në kapjen e të kërkuarve nga Haga për krime lufte dhe, i treti, arritja e reformave. “Koha po mbaron dhe vendi duhet të përshpejtojë reformat e nevojshme për marrjen e statusit të kandidatit”, tha Fyle. Gjatë javës së ardhshme, Fyle dhe presidenti i Komisionit të BE-së, Hoze Manuel Barroso, do të jenë në Serbi, pak para se Komisioni i BE-së të raportojë nëse Serbia ka përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme që të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Fyle tha se pret të marrë një raport pozitiv nga kryeprokurori i Gjykatës për Krime Lufte, Serzh Bramertz, për përpjekjet e Beogradit mbi arrestimin e dy të akuzuarve për krime lufte, Ratko Mlladiç dhe Goran Haxhiç.











