Fyerjet, radio Shkupi: Mos informoni në shqip

Jan 24, 2012 | 18:49

SHKUP- Radio Shkupi, programi në gjuhën shqipe ka vendosur të bojkotojë përfaqësueset e Maqedonisë, në futboll, basketboll, hendboll apo edhe në sporte të tjera. Kjo masë vjen pas fyerjeve të njëpasnjëshme që tifozët maqedonas i kanë bërë shqiptarëve.

Sipas një njoftimi të shpërndarë për mediat, Radio Shkupi ka vendosur që të mos informojë  për asnjë nga aktivitete sportive të përfaqësueses së Maqedonisë në të gjitha sportet.

“Duke u nisur nga fakti se në vazhdimësi tifozët e përfaqësueses së Maqedonisë, pavarësisht se për cilin sport bëhet fjalë, qoftë hendboll, futboll, basketboll apo ndonjë sport tjetër ofendojnë shqiptarët në baza etnike, Radio Shkupi, programi në gjuhën shqipe ka sjellë vendim të mos informojë opinionin për çdo lloj aktiviteti që kryen përfaqësuesja.”- thuhet në deklaratën e Radio Shkupit.

Radio Shkupi ka kërkuar gjithashtu të njëjtën gjë edhe nga mediat e tjera shqiptare.  Sipas saj, këto dukuri po reflektojnë negativisht në marrëdhëniet ndëretnike.

© Panorama.al

Te lidhura