Futbollistit anglez, John Terry, i kthehet makina e grabitur

May 4, 2011 | 11:27

TIRANE – Policia e Tiranës rikthen në Londër makinën e vjedhur të futbollistit të kombëtares angleze, John Terry. Automjeti i vjedhur tri vjet më parë në Londër, prej katër muajsh mbahej i bllokuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Disa ditë më parë, në Prokurorinë e Tiranës ka mbërritur një letër-porosi që i kërkonte autoriteteve shqiptare kthimin e automjetit tip “Range Rover”, me targë LT 55 EUO. Kërkesa që i ishte bashkëngjitur letër-porosisë, ishte e nënshkruar nga një kompani sigurimesh angleze, në të cilën pronari kishte siguruar mjetin, para se të vidhej, në vitin 2008. Makina u bllokua në Tiranë më 15 dhjetor 2010, në një rrugicë të ish-Bllokut dhe iu sekuestrua një personi me iniciale E.M., pronar i një lokali nate në Tiranë, i cili pretendonte se makinën ia ka blerë një personi nga Burreli. Ky person dyshohet se ka kryer vjedhjen e fuoristradës luksoze në Angli 3 vite më parë, por, sipas Policisë, ai aktualisht ndodhet në burg jashtë Shqipërisë. Për zbulimin e vendndodhjes së automjetit janë verifikuar informacionet e dhëna nga banorët, ndërkohë që është shfrytëzuar edhe GPS që ndodhej në makinë për konfirmimin e vendndodhjes së saj. Pajisja satelitore e makinës së Terry-t pulsonte në hartë në mes të Tiranës, në zonën e ish-Bllokut. Nga verifikimet e kryer nga oficerët e Antitrafiqeve të Interpolit, por edhe nga dosja e mbërritur nga Anglia, rezulton se makina i përket pikërisht futbollistit të ekipit “Çelsi”. Pas sekuestrimit të kësaj makine në Tiranë, zëdhënësi i futbollistit anglez hodhi poshtë faktin që makina ishte e Terry-t. Por burime të sigurta nga Policia e Shtetit konfirmuan se makina është pikërisht e futbollistit John Terry dhe gjithçka u konfirmua zyrtarisht pas letër-porosisë. Në mes të kësaj historie, sipas burimeve nga Policie, është përfshirë siguracioni i mjetit, që mesa duket Terry e kishte përfituar pasi i ishte vjedhur makina. Kjo, sipas oficerëve të Trafiqeve, shpjegon faktin se përse kërkesa për kthimin e mjetit është bërë nga kompania e sigurimeve, dhe jo nga vetë futbollisti John Terry.

© Panorama.al

Te lidhura