Fushë-Krujë, dy atentate me tritol Fabrikës së Çimentos

Sep 7, 2011 | 11:21
Fabrika e Çimentos në Fushë-Krujë

Dy shpërthime njëri pas tjetrit rikthejnë serialin e atentateve me objektiv Fabrikën e Çimentos në Fushë-Krujë.Shpërthimi i parë ndodhi rreth orës 23:00 të së hënës, ndërsa rreth 15 minuta më pas, një tjetër shpërthim ka tronditur banorët e fshatit Zallë. Ngjarja ka vënë në rrezik katër efektiva të policisë, të cilët shkuan në vend. Kjo, pasi shpërthimi i dytë ndodhi në një distancë vetëm 100 metra larg tyre, duke iu rrezikuar seriozisht jetën. Por fatmirësisht, ata shpëtuan pa lëndime, veç panikut të përjetuar. Policia e Krujës bëri të ditur dje se ka shoqëruar 10 persona si të dyshuar për vendosjen e lëndës eksplozive mbi shinat e hekurudhës, që lidh Fabrikën e Çimentos së Fushë-Krujës me Vorën. Në vend mbërritën edhe efektiva nga policia e Durrësit, të cilët bashkë me policinë e Krujës nisën kontrollet në të gjithë fshatin Zallë, gjatë të gjithë natës, por pa mundur të zbulojnë dot autorët e krimit. Mësohet se dy shpërthime të fuqishme u regjistruan rreth mesnatës në afërsi të kësaj fabrike, i pari në një distancë rreth 100 metra nga muri rrethues i fabrikës dhe i dyti në një distancë rreth 200 metra larg saj. Pasojë e këtij shpërthimi ishte këputja e shinave të trenit në pjesën veriore të saj, si dhe prishja e traversave që mbanin ato. Pas shpërthimit të parë, në vend mbërritën katër efektiva, të cilët për shkak të ngjarjeve të njëpasnjëshme në këtë fshat, që kanë lidhje me fabrikën, qëndrojnë thuajse gjithë natën në patrullim. Por një shpërthim i dytë afër tyre e ka ndërlikuar situatën, pasi për pak do të kishte shkaktuar pasoja me rrezik për jetën e tyre. Më pas, forca të shumta të mbërritura në vend kryen ekspertizën, duke dalë në konkluzionin se sasia e eksplozivit të vendosur në të dy rastet në shina ka qenë rreth 200 gramë, e llojit tritol. Policia dyshon se autorët e vënies së tritolit janë nga fshati Zallë i Fushë-Krujës. Për këtë shkak, blutë ndërmorën aktin për kontrollin e banesave, por ata hasën në rezistencën e banorëve të fshatit Zallë, disa prej të cilëve kundërshtuan kontrollet, pa lejen e Prokurorisë dhe Gjykatës. Ata kanë insistuar që kontrollet të bëheshin gjatë ditës, pasi aksionet e tyre gjatë orëve të natës po ua traumatizojnë familjarët, kryesisht fëmijët.

FUSHE-KRUJE/ ROLAND NIKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura