DURRES – Mesnatën e së enjtes qyteti bregdetar i Durrësit është përfshirë nga një furtunë e fuqishme, e cili ka shkaktuar probleme dhe dëme të shumta materiale në disa zona të qytetit, kryesisht ato pranë bregut të detit. Situata më problematike paraqitet në lagjen 1, 4, 13 dhe 18 të qytetit. Ndërsa viktima të stuhisë janë dhjetëra kënde lojërash në shëtitoren “Taulantia”, tabela të reklamave, çati provizore dhe tenda të bizneseve të ndryshme, të cilat janë rrëzuar duke u dëmtuar plotësisht. Gjithashtu, si pasojë e furtunës janë shkëputur dhe disa shtylla ndriçimi e pemë dekorative të qytetit, duke dëmtuar automjetet të cilat ndodheshin të parkuara nën to. Fatmirësisht stuhia ka nisur pas mesnate dhe nëpër rrugë ka pasur lëvizje të pakta, duke evituar pasoja në njerëz. Ndërkaq, për shkak të erës së fortë dhe detit shumë ballë, probleme janë hasur dhe në sektorin e peshkimit. Si pasojë e fortunës, disa peshkarexha, të cilat ndodheshin të ankoruara në portin e peshkimit janë përplasur me njëra-tjetrën. Por shkak për anomalinë e krijuar në portin e peshkimit është bërë edhe vendi i papërshtatshëm në të cilën ndodhen të ankoruara anijet, ndërsa dy prej peshkarexhave ndodhen gjysmë të fundosura. Si pasojë e forcës së madhe të detit, edhe tragetet janë vonuar deri në tri orë.











