Fuoristrada merr zvarrë makinën e dasmorëve, vdes një pasagjer

Aug 19, 2012 | 13:47

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në afërsi të Kthesës së Kamzës, në Tiranë. Një autoveturë tip “Fiat Punto”, ku ndodheshin pjesëtarët e një familjeje që po ktheheshin nga një dasmë, është goditur në pjesën e pasme nga një fuoristradë tip “Porsche”, që lëvizte në të njëjtin drejtim me të. Aksidenti ndodhi rreth orës 03:30 të mëngjesit dhe viktima e ngjarjes është 70- vjeçari Pëllumb Sultafa, i cili ndodhej si pasagjer në makinën tip “Fiat”. Sipas burimeve nga Policia Rrugore, drejtuesi i fuoristradës, Haki Lamçe, dyshohet se ka qenë duke lëvizur me një shpejtësi tej normave të lejuara, më shumë se 200 kilometra në orë. Në tentativë për të kryer manovrën e parakalimit, pasi të dy mjetet kishin të njëjtin drejtim lëvizjeje, Tiranë-Kamzë, dyshohet se Lamçe për shkak të shpejtësisë së madhe nuk ka mundur të ruajë distancën e sigurisë, duke goditur nga pas automjetin tip “Fiat Punto”. Nga goditja e fortë makina është shtyrë para për rreth 80 metra përgjatë rrugës, më pas e ka goditur sërish, por këtë herë goditja ka qenë ballore, pasi makina ishte kthyer 180 gradë. Sipas Policisë, goditja e dytë ka qenë fatale për pasagjerin e mjetit “Fiat Punto”, Pëllumb Sultafa, 70 vjeç. Ai ka humbur jetën pasi ka mbërritur në Spitalin Ushtarak. I plagosur lehtë ka mbetur drejtuesi i së njëjtës makinë, shtetasi B. Mersini. Oficerët e Njësisë së Policisë Rrugore kanë ndaluar drejtuesin e automjetit tip “Porsche”, ndërsa vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të dinamikës se ngjarjes. Paraprakisht mësohet se automjeti tip “Porsche”, me targë AA 996 CJ, ka qenë duke udhëtuar me një shpejtësi mbi 200 kilometra në orë dhe drejtohej nga Haki Lamçe. Ndërsa në automjetin tip “Fiat Punto” udhëtonte një familje që po kthehej nga një dasmë dhe, sipas Policisë, po lëvizte me shpejtësi normale brenda normave të qarkullimit rrugor. Policia ka thënë se makina tip “Porsche” ka lënë në vendin e ngjarjes shenja dhe gjurmë të mjaftueshme për të dalë në konkluzionin se shpejtësia e saj kur ka ndodhur aksidenti, ka qenë tej normave të lejuara. Besohet se shpejtësia e lëvizjes së mjetit kur ndodhi aksidenti, ka qenë 90-100 kilometra në orë.

© Panorama.al

Te lidhura