Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, duke i thënë ndër të tjera se “fundi i pushtetit tënd nuk do jetë më politik”.
Më anë të një postimi në Facebook, teksa i referohet protestave masive, deputeti demokrat thekson se zhvillimet e fundit në Shqipëri janë pasojë e qeverisjes së kryeministrit dhe se protestat kundër qeverisë përbëjnë, sipas tij, një tregues të pakënaqësisë qytetare.
“Unë jam deputet dhe në politikë ka finale të mira e të këqija politike. Por ti s’je më përballë meje si deputet, as përballë nesh si politikanë. Ndaj mos u përgjëro kot. Fundi i pushtetit tënd duket qartë që s’do të jetë më politik. Do të jetë në shesh, aty ku rrëzohen të gjithë ata që qeverisin si ti. Dhe unë i falënderoj dhe i mbështes nga zemra të gjithë ata që po ta afrojnë këtë fund, që e meriton totalisht”, shkruan ndër të tjera deputeti i PD.
Reagimi:
Që e ke humbur fare duket qartë. S’ka nevojë për psikologë e psikiatër. Bashkon fjalë dhe kujton se bën fjali. Më paske përmendur edhe mua si deputet, në ligjëratën e lodhshme para të tutëvëve. Ty të pëlqen të vetëkënaqesh para skllevërve të tu nëpër salla.
Po ky sot është problemi më i vogël që ke ti dhe duartrokitësit e tu. Tani po të jap një leksion historie, se ti, si i shkolluar nga kinostudio, e ke diapazonin mendor sa ekrani i një televizori Iliria. Po të tregoj që, që nga koha e faraonëve e deri te sivëllai yt, Stalini, të gjithë diktatorët e bashkojnë kombin me veten. Njësoj si ti, po fiks fare si ti, e quajnë fundin e vet si fund të kombit. Por, po të shkollohesh me televizor Iliria, babëzia ta errëson gjykimin.
Këto që po ndodhin këto ditë në Shqipëri janë rezultat i qeverisjes tënde. Mund të bësh kllounin sa të duash, të thërrasësh në ndihmë kë të duash; suksesi i protestës është fundi yt.
Unë jam deputet dhe në politikë ka finale të mira e të këqija politike. Por ti s’je më përballë meje si deputet, as përballë nesh si politikanë. Ndaj mos u përgjëro kot. Fundi i pushtetit tënd duket qartë që s’do të jetë më politik. Do të jetë në shesh, aty ku rrëzohen të gjithë ata që qeverisin si ti. Dhe unë i falënderoj dhe i mbështes nga zemra të gjithë ata që po ta afrojnë këtë fund, që e meriton totalisht.
Kjo ishte përgjigjja politike.
Sa për mbiemrin tim, më vjen keq. Jemi kaq të ndryshëm, sa s’ta kthej dot përgjigjen. Nuk ma lejon edukata familjare të debatoj me sojin tënd.
© Panorama.al












