Një qytetar akuzoi sot nga protesta e ditës së 52-të kryeministrin Edi Rama për vizitën e tij në Theth të Shkodrës, duke e cilësuar si “kthim në vendin e krimit”.
Ai nënvizoi se kreu i qeverisë shkoi atje për t’u thënë banorëve të zonës se ai ishte mbreti, se mund të shkatërrojë kë të dojë.
“Ju erdhi fundi! Kryeministri Rama ishte sot në Theth. Ai u kthye në vendin e krimit, aty ku e shkatërroi vetë, u kthye aty për të thënë se unë jam mbreti, unë i prish, unë ju lë të ndërtoni përsëri. Unë jam këtu për këta njerëz që dalin në këtë shesh dhe kërkojnë pronat e tyre. Nuk ka turp më të madh në historinë shqiptare sesa ligji 7501 që ka shkatërruar familje, ka shkaktuar emigracion masiv, ka shkaktuar probleme me gjykatat dhe konfliktet. Kjo është një arsye më shumë pse protestojmë”, tha qytetari.
Qytetari vijoi duke apeluar për të gjithë shqiptarët që më 23 korrik, të enjten, të mblidhen në Tiranë për të protestuar para Parlamentit pa dinjitet, për të sjellë ndryshimin.
“Protesta e 23 korrikut është protestë thelbësore që duhet të na bashkojë para një Parlamenti që nuk përfaqëson asgjë, para një Parlamenti me njerëz pa dinjitet. Tregojuni fëmijëve tuaj se kush ishte Komunizmi dhe se ai nuk do përsëritet kurrë në këtë vend. Tregojuni marrëdhëniet me kriminelët të një kryeministri si Edi Rama që kurrë të mos vijë në pushet një njeri si ai”, tha ai.
Në fund edhe një thirrje për rezistencë deri në largimin e klasës së vjetër politike dhe qeverisë:
“Kjo protestë ka 52 ditë për një Shqipëri demokratike, kjo frymë nuk ndalet deri në fund, deri në arritjen e qëllimeve tona, për një Shqipëri të re, të lirë, me dinjitet, me Kushtetutë të re, e votuar nga ju, nga ne, nga sovrani. Zoti ju bekoftë, ne do fitojmë dhe ne do e ndryshojmë, fundi i këtyre është i sigurt”.
© Panorama.al












