Fullani: Nuk është koha për të këmbyer paratë

Dec 20, 2011 | 12:13

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka preferuar që në të njëjtën ditë kur përshëndeti mbylljen e një viti pune siç është 2011-a, të prezantonte anëtarët e rinj të Këshillit të Mbikë-qyrjes dhe të jepte edhe një këshillë për qytetarët. Duke pasur parasysh atë që ndodhi në treg pak ditë më parë, ku qytetarët filluan të shkëmbenin gjerësisht eurot me lekë për shkak të zhvlerësimit momental që pësoi monedha europiane, ai bëri thirrje për maturi. Fullani u shpreh se qytetarët nuk duhet ta interpretojnë vetë informacionin që marrin dhe fillimisht të konsultohen me bankat e tyre për çdo veprim. “Në këto kohë, qytetarët, publiku të mos marrë pozicione. Nuk është koha për të këmbyer valuta. Një lajm u kuptua në këtë mënyrë apo një lajm tjetër do t’ju sjellë një risi tjetër. Përpara se të marrësh një informacion apo një lëvizje, konsultohu njëherë me profesionistët, konsultohu njëherë me bankën tënde”, tha Fullani. Ai theksoi se Banka e Shqipërisë edhe në vijim do të jetë vigjilente, duke ecur sipas objektivit të saj, që është ruajtja e stabilitetit makroekonomik. Duke vlerësuar kontributin e aktorëve si shteti, biznesi, media dhe gjithë sektori bankar, Fullani theksoi se ky vit ka qenë një ndër më kompleksët, por që falë bashkëpunimit, është bërë e mundur mbajtja e sigurt e sektorit bankar në vend. Gjatë fjalës së tij Fullani u shpreh se luhatjet kanë ardhur përgjithësisht nga efektet e postkrizës dhe situatës në të cilën është gjendur eurozona, por nga ana e Bankës së Shqipërisë është ndjekur një politikë e kujdesshme që ka gjetur mbështetje të gjerë.
I pranishëm në aktivitetin e djeshëm ishte edhe ministri Rdivan Bode, i cili vlerësoi punën e Bankës së Shqipërisë. “Ne kapërcyem me sukses goditjet e para të krizës, pasi patëm një sistem ekonomik të qëndrueshëm dhe nga politika e ndjekur nga Banka e Shqipërisë. BSH duhet të përmbushë objektivin më kryesor, atë të rritjes ekonomike”, tha Bode në fjalën e tij. Dje Banka e Shqipërisë ndau edhe çmimet për tri punimet e diplomave më të mira nga studentët.

136 lekë
u këmbye një euro në javën e dytë të dhjetorit. Kjo ishte një nga vlerat më të ulëta që shënoi monedha europiane.
Pas këtij zhvlerësimi, qytetarët filluan t’i kthenin eurot në monedhën vendase nga frika e një zhvlerësim i mëtejshëm.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura