Fullani: Biznesi të marrë kredi

Sep 1, 2011 | 10:35

Banka e Shqipërisë ka vendosur që të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit edhe pas takimit të fundit të Këshillit të Mbikëqyrjes, duke vlerësuar se kushtet monetare sigurojë një inflacion brenda objektivit.Por, në daljen e tij para mediave, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, konfirmoi se në një të ardhme të afërt mund të krijohen kushtet për të rishikuar politikën monetare.
INFLACIONI
Inflacioni, që në muajt e parë të këtij viti shënoi vlera mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë duket se është stabilizuar, kjo si rrjedhojë e futjes në treg të prodhimit bujqësor vendas apo edhe reflektimit të efekteve të politikave të ndjekura. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, tha dje se gjatë këtij viti, efekti i prodhimeve të sezonit në tregun vendas është ndjerë më shumë sesa vitet e kaluara, duke ulur inflacionin, por presionet që vijnë nga tregjet botërore kanë vijuar, edhe pse në masë më të ulët. “Inflacioni vjetor në muajin korrik rezultoi 3.6 për qind, duke ndjekur trajektoren rënëse të vënë re gjatë tremujorit të dytë të vitit. Ecuria e çmimeve të konsumit në vend vijon të jetë nën presionin e rritjes së çmimeve në tregjet botërore, por në një masë më të vogël krahasuar me muajt e mëparshëm”, tha Fullani.
Investimet dhe konsumi
Individët dhe biznesi kanë vepruar në mënyra të ndryshme sa u përket shpenzimeve. Për Bankën e Shqipërisë pasiguria që shfaqet në disa sektorë, pavarësisht ecurisë pozitive të ekonomisë, ka bërë që këto të fundit të shfaqin një tendencë të moderuar për investime. “Investimet private vijojnë të kenë një ecuri të ngadaltë krahasuar me ritmet e tyre historike dhe nevojat e vendit për rritjen sasiore e cilësore të kapaciteteve prodhuese. Një gjykim i tillë sugjerohet nga ecuria e importit të mallrave kapitale, niveli i ulët i indekseve të besimit në sektorët e ndërtimit dhe industrisë – sektorët më intensivë në përdorimin e kapitalit – dhe ritmi i ulët i përdorimit të kredisë bankare për financimin e investimeve”, tha guvernatori. Në këtë kuadër ai ka bërë thirrje që biznesi të rrisë kërkesën për kredi, pasi bankat kanë gjithë mundëistë për t’i financuar. Ndërkaq, individët kanë qenë më të pirë për të shpenzuar. Banka e Shqipërisë vërën se në tremujorin e dytë janë shfaqur sinjale për një ecuri të përmirësuar të konsumit privat, sikurse sugjerohet nga përmirësimi i treguesve të besimit konsumator dhe rritja e përdorimit të kredisë konsumatore. Për periudhë në vazhdim, guvernatori Fullani u shpreh se pritet që investimet, por edhe konsumi, të kenë një ecuri disi më pozitive sesa aktualja, kjo edhe si rezultat i përmirësimit të kushteve të financimit.

Qeveria, më pak para për ekonominë

Pas përfundimit të zgjedhjeve në maj, qeveria duket se humbi hovin e investimeve dhe kjo u përforcua dhe më shumë me rishikimin e buxhetit. Masa për të shkurtuar mbi 18 miliardë lekë erdhi pas shumë shpenzimeve të qeverisë dhe pas ecurisë së ngadaltë të të ardhurave, të cilat çuan në rritjen  e deficitit. Banka e Shqipërisë vëren se impulsi fiskal në ekonomi ka shfaqur tendenca moderimi në tremujorin e dytë, të cilat priten të forcohen më tej në pjesën e mbetur të vitit.

Rritja ekonomike do të vazhdojë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, u shpreh dje se ekonomia shqiptare vijon të jetë nën kapacitete, por ka pasur një ecuri pozitive. Nëse për tremujorin e parë rritja ka qenë 3.4 për qind, kaq pritet që të jetë edhe për tremujorin e dytë, ndërkohë që ecuria pozitive do të vijojë. “Projeksionet dhe vlerësimet tona sugjerojnë për vazhdimësi të rritjes ekonomike, në terma të përafërt me ata të tremujorit të parë të vitit”, tha Fullani.

Fullani për rikandidimin si guvernator  i BSH-së: Sfidat çohen deri në fund

Nuk ka qenë i drejtpërdrejtë me një “po” të thjeshtë guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, lidhur me pyetjen për një mandat të dytë në krye të Bankës së Shqipërisë. Aprovimin e ka dhënë mes rreshtave të tërë. Ka preferuar që ta nisë me shprehjen se çdo njeri ka dëshirë që sfidat t’i çojë deri në fund, dhe kjo vetvetiu lë të kuptohet se në prag të përfundimit të mandatit të parë 7-vjeçar, një mandat i dytë është një sfidë që është marrë parasysh. “Një shprehje e madhe e një prej presidentëve më të suksesshëm amerikanë thotë që nuk ka limit në aktivitetin e një njeriu, e rëndësishme është që ajo që ai bën të shihet si një kontribut i shtuar. Në këtë kontekst, unë do të thosha se qëndrimi im personal për këtë, në vijim të komunikimit të hapur dhe konsekuent, pa diskutim që jep një optimizëm të shtuar për t’i çuar sfidat deri në fund”, tha Fullani. Në prag të përfundimit të mandatit të guvernatorit, në “treg” janë hedhur edhe emra të tjerë, po sigurisht, një mandat i dytë për guvernatorin aktual nuk është përjashtuar.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura