Prokuroria rrëzon alibinë e Kasajt: E tradhton karta e punës

Jan 29, 2012 | 10:25

Ish-shefi i IT ne Kryeministri, Armando Kasaj (majtas) nga ngjarjet e 21 janarit 2011

Armando Kasaj deklaroi në gjykatë se iku nga puna në 23:30 të 21 janarit

Prokuroria: Kasaj bëri check-in me kartë pas mesnate. Dëshmia e katër gardistëve: Ishte në punë atë natë

Prokuroria rrëzon alibinë e ekspertit të sektorit IT në Kryeministri, i arrestuar me akuzën e fshirjes së filmimeve të kamerave të sigurisë për 21 janarin. Gjatë seancës së caktimit të masës së sigurisë, Armando Kasaj deklaroi se kishte ikur nga Kryeministria më 21 janar rreth orës 23:00, ndërkohë që nga hetimet ka dalë se në orën 00:51 serveri i kamerave të Kryeministrisë është riformatuar, duke fshirë gjithçka ishte regjistruar në të. Sipas Prokurorisë, Armando Kasaj ka qenë në Kryeministri në kohën kur ka ndodhur zhdukja e filmimeve. Dy janë elementët mbi të cilët Prokuroria e mbështet pretendimin e saj. Së pari, sipas Prokurorisë, efektiva të Gardës së Republikës, që kanë qëndruar brenda Kryeministrisë natën e 21 janarit, me orar të zgjatur për shkak të ngjarjeve që kishin ndodhur, kanë dëshmuar se Kasaj ka qëndruar në punë pas orës 23:00. Së dyti, provë tjetër është regjistrimi i kartës së hyrjes në Kryeministri, e cila ka kaluar në check-in pas mesnate. Sistemi i skanimit të kartave të hyrjes në Kryeministri nuk ka regjistruar nëse personi ka hyrë apo ka dalë, por sipas akuzës, karta e Armando Kasajt ka pulsuar në skenim pas mesnate. “Nga hetimi ka rezultuar se kamerat ishin në gjendje pune dhe se personi nën hetim, Armando Kasaj, ka qëndruar në ambientet e Kryeministrisë pas orës 23:00 të datës 21 janar 2011”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë për masën arrest me burg ndaj Kasajt.
Kamerat
Sipas Prokurorisë, gjatë ngjarjeve të 21 janarit 2011, 11 kamera të sistemit të vëzhgimit të Kryeministrisë kanë qenë në punë dhe kanë fiksuar pamje nga disa drejtime. Megjithatë, pamjet e këtyre kamerave nuk u janë dhënë hetuesve, pasi rezulton se janë kopjuar e më pas fshirë. Menjëherë pas ngjarjes së 21 janarit 2011, me një urdhër verbal, drejtuesit e Prokurorisë Tiranë kanë urdhëruar strukturat e posaçme të Këshillit të Ministrave që të ruajnë të paprekura të gjitha regjistrimet e kamerave të sigurisë së ndërtesës së Këshillit të Ministrave dhe prej tyre është marrë verbalist konfirmimi. Më datë 26 janar 2011, me shkresë nr.703 i është kërkuar sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave t’i vendosë në dispozicion të hetimit, kopje të këtyre regjistrimeve. Në përgjigje janë dërguar vetëm regjistrimet e një kamere lëvizëse për të cilën shpjegohej se ndodhej në tarracën e Kryeministrisë ditën e ngjarjes. Prokuroria, më 12 shkurt 2011, ka përsëritur kërkesën për të dërguar regjistrime të të gjitha kamerave të sigurisë që ndodheshin në pjesën e jashtme të ndërtesës së Këshillit të Ministrave. Më datë 17 janar 2011, sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave ka kthyer përgjigje duke thënë se kamerat e përmendura nga Prokuroria i përkasin sistemit kryesor, i cili është jashtë funksionit që prej fundit të vitit 2009. Ndërkohë, prokurorja e Përgjithshme në emisionin “Opinion” tha se në Prokurori është dërguar një raport nga kompania TIS, e cila ka audituar sistemin e kamerave të sigurisë në Kryeministri, se ato kanë qenë në punë në datën 21 janar. Më 4 mars 2011, Prokuroria ka proceduar duke sekuestruar DDR dhe po në këtë datë Këshilli i Ministrave, me shkresë nr.870, ka dërguar edhe një informacion shtesë në lidhje me sistemin e vëzhgimit, duke përcjellë edhe regjistrimet e një kamere tjetër.
Ekspertiza
Pas marrjes së serverit të kamerave në Kryeministri, Prokuroria ka dërguar pajisjen për ekspertizë. Ekspertiza ndërkohë realizoi gjetjen e veprimeve që ishin kryer me kompjuterin në datën 21 janar 2011. Sipas ekspertizës së kryer në Tiranë, më datë 21 janar 2011 ora 19:24:00 deri në orën 19:36:31 është realizuar kopjimi i të dhënave të regjistruara, duke i regjistruar ato në një pajisje të jashtme (hard disk, USB, DVD, CD-R). Pajisja, sipas ekspertizës, ka qenë në punë deri në datën 4 mars 2011, pra rreth deri tre muaj pas ngjarjeve pranë Kryeministrisë. Nga ekspertiza ka dalë se pajisja ishte konfiguruar që të fshinte automatikisht regjistrimet më të vjetra se shtatë ditë, pra regjistrimet e datës 21 janar 2011 fshiheshin automatikisht në datën 28 janar 2011. Edhe ekspertiza që i është bërë serverit në SHBA, ka gjetur se në server janë kryer ndërhyrje më datë 21 janar 2011 ora 12:14, datë 22 janar 2011, ora 00:51:52 (pas mesnatës së 21 janarit), datë 28 janar 2011, ora 12:10. Prokuroria e Përgjithshme, pasi gjeti të dhënat për këto veprime dhe ndërhyrje në pajisjen kompjuterike, e dërgoi atë në SHBA, ku veç ekspertizës për të zbardhur atë që kishte ndodhur me materialet në kompjuter, ekspertëve iu kërkua rikuperimi i tyre. Specialistët amerikanë kthyen përgjigje dhe thanë se rikuperimi i videove ishte i pamundur, pasi pajisja ishte riformatuar.

Nderhyrjet
. Pajisja është formatuar manualisht në datat, 29 prill 2010, ora 15:57, 30 prill 2010, ora 13:33, datë 24 maj 2010, ora 10:59, datë 20 janar 2011, ora 18:54, datë 21 janar 2011 ora 12:14, datë 22 janar 2011, ora 00:51:52, datë 28 janar 2011, ora 12:10.

. Regjistri i veprimeve në të dhënat e regjistruara në DVR ishte kopjuar nga DVR-ja për një organ medie, nëpërmjet portës USB, duke përdorur funksionin kopjo të dhënat-data copy. Ky funksion kopjon të dhënat nëpërmjet portës USB në ballinën e pajisjes.

. Në data e mëposhtme janë kopjuar të dhëna, duke përdorur metodën kopjo të dhënat: 28 janar 2011, ora 18:15, datë 28 janar 2011, ora 17:26, datë 28 janar 2011 ora 17:25, datë 21 janar 2011, ora 21:34, datë 21 janar 2011 ora 20:48, datë 21 janar 2011 ora 19:45, datë 21 janar 2011, ora 19:29, datë 21 janar ora 19:28, datë 21 janar 2011, ora 19:26, datë 21 janar 2011, ora 19:26:04, datë 21 janar, ora 19:25, datë 21 janar 2011, ora 19:24.

Deklarata
Gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën e Tiranës pak ditë më parë, Armando Kasaj deklaroi e nuk e kishte kryer ai riformatimin e serverit të Kryeministrisë pas mesnatës së 21 janarit. Kasaj deklaroi se ishte larguar nga Kryeministria në orën 23:30 dhe se nuk ishte pjesë e veprimeve që ishin kryer më pas në server. Prokuroria pohon se Kasaj ishte i vetmi që kishte privilegjet e fshirjes, kopjimit dhe riformatimit në serverin e Kryeministrisë me userin e tij si administrator. Megjithatë, eksperti i IT-së në Këshillin e Ministrave ka pohuar se Prokuroria, ndonëse ka faktuar fshirjen e filmimeve, nuk ka asnjë provë se këtë veprim e ka kryer Kasaj. Prokuroria nga ana e saj thotë se ka edhe disa prova të tjera në ngarkim të ekspertit të IT-së në Kryeministri.

Arresti i Kasajt
Ish-specialisti i IT-së në Kryeministri, Armando Kasaj, ndodhet në masën e arrestit në shtëpi me akuzën e shpërdorimit të detyrës, njësoj si komandanti i Gardës dhe shoferi i tij që kanë akuza të ndërlidhura me vrasjen e Faik Myrtajt dhe veprimet e kryera me armën e përdorur në ngjarje. Sipas Prokurorisë, ndaj Armando Kasajt ishte kërkuar masa e sigurisë arrest me burg me akuzën se ai mund të ndikonte në fshehjen e provave, por Gjykata e Tiranës, pasi shqyrtoi kërkesën, vendosi ndryshimin e masës së sigurisë. Gjyqtari i gatshëm që shqyrtoi kërkesat e Prokurorisë, deklaroi se masat e përshtatshme ishte arresti në shtëpi dhe kjo masë u la në fuqi e u verifikua nga gjykata.

Dyshohet se dokumentoi veprimet e “grupit të zjarrit”
Prokuroria: Një kamera ishte vendosur mbi kokën e gardistëve
TIRANE – Organi i akuzës gjatë hetimeve në lidhje me 21 janarin ka gjetur dhe ka përcaktuar zonën ku ishin dislokuar efektivat e Gardës së Republikës, që sipas planit paraprak të masave, ishin pajisur me armatim luftarak. Kjo kategori e efektivave, e emëruar ndryshe edhe grupi i zjarrit, ka qenë e vendosur në këndin verior të Kryeministrisë. Pozicionimi i saktë i gardistëve ka qenë në qoshen e Kryeministrisë, e cila sheh nga ura e madhe e Lanës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, drejtimi i hotel “Dajtit”. Në këtë drejtim, sipas Prokurorisë, më 21 janar kanë qenë të vendosura dy kamera sigurie, njëra prej të cilave, sipas akuzës, ka qenë mbi kokën e gardistëve të grupit të zjarrit. Imazhet e kësaj kamere, sipas hetuesve, mund të sqaronin shumëçka për projeksionin e qitjeve të gardistëve me armë zjarri dhe fakte të tjera. Imazhet e këtyre kamerave, sipas Prokurorisë, nuk iu dhanë asnjëherë grupit të hetimit për të zbardhur ngjarjen, dhe për këtë shkak, ato do të kërkohen përsëri. Kryeministria në dy kërkesat që i ka bërë Prokuroria, ka kthyer përgjigje se të vetmet imazhe që kishte në dispozicion kanë qenë ato të dy kamerave lëvizëse. Njëra ka qëndruar mbi Kryeministri gjatë ngjarjeve të 21 janarit dhe ka filmuar demonstruesit që godisnin policët dhe kamera tjetër, ajo e lëvizshme, që ka fiksuar skena thuajse të njëjta, por që nuk ka kapur asnjë sekuencë nga momentet e vrasjeve.

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura