
Futbolli shqiptar është tronditur sërish, por tani nga fakte të reja që zbardhin trukimet masive të ndeshjeve në Shqipëri.UEFA ka dhënë alarmin për trukime të rezultateve në Superiore përmes një analize të hollësishme dhe zyrtare të çdo ndeshjeje. “Top Channel” ka zbuluar dje një pjesë të raporteve konfidenciale të UEFA-s, sa u përket shitjeve të ndeshjeve dhe manipulimit të rezultatit në kampionatin tonë. Sistemi i sofistikuar i UEFA-s, i quajtur Sistemi i Zbulimit të Mashtrimeve të Basteve, BFTS, është një nga sitet kryesore të të gjithë kampionateve europiane. Ky sistem monitoron paratë e luajtura për ndeshje të caktuara dhe lëvizjet e koeficienteve, që sipas specialistëve sjell përcaktimin përfundimtar nëse një ndeshje është e fiksuar apo jo.
Jo vetëm kaq, por edhe çdo lëvizje në fushë, karton i verdhë, karton i kuq dhe aksion, monitorohet për t’i dhënë një pasqyrë më të plotë panoramës së takimeve të trukuara. Dje janë zbuluar 12 ndeshje të sezonit të shkuar dhe vetëm 1 e këtij sezoni. Sipas raportit të UEFA-s, analizat tregojnë se një pjesë e tyre janë shumë të dyshimta, disa të fiksuara, ndërsa të tjera 100 për qind të fiksuara. 5 ndeshje të javës së 29-të të Kategorisë Superiore kanë rezultuar të trukuara dhe vetëm ndeshja Vllaznia-Tirana i ka shpëtuar trukimit në atë javë të Superligës. Në raportet e UEFA-s janë edhe 7 ndeshje të tjera të sezonit të kaluar: 12 mars 2011, Dinamo-Elbasani 3-1; 1 prill 2011, Laçi-Elbasani 3-1; 15 prill 2011, Dinamo-Skënderbeu 2-3 dhe Tirana-Elbasani 6-1; 19 mars 2011, Elbasani-Bylisi 0-2; 24 prill 2011, Shkumbini-Besa 2-2 dhe 25 prill, Kastrioti-Teuta, 3-1. Raporti i përcakton këto ndeshje të trukuara me rezultate të sakta, ndërsa për këtë sezon bëhet fjalë për Kastrioti-Vllaznia e 3 tetorit, e fituar nga krutanët. Për këtë sfidë ka një raport shumëfaqësh me detaje se çfarë ka ndodhur, ku përmenden edhe emrat e gjyqtarëve, Janku, Pregja dhe Avdo, apo emra lojtarësh të Kastriotit, si Caca, Muçollari, Grami e Turdiu; Ky i fundit në këtë takim doli me karton të kuq. Sipas raportit të UEFA-s, të dyja këto skuadra kanë një histori të dyshimtë dhe për 14 ndeshje të tjera të luajtura, 9 prej të cilave kanë dyshime të forta, madje cilësohen si të trukuara. Historia e trukimit të ndeshjeve është një temë e rrahur shpesh, por gjithçka ka mbetur në disa deklarata publike në media. Gjithmonë debatet janë mbyllur me fjalinë “mungojnë provat”. Së fundmi ka qenë UEFA që ka sjellë jo vetëm një, por dhjetëra prova, raporte dhe analiza që mbyllen me konkluzione për manipulimin dhe fiksimin e ndeshjeve të Superiores shqiptare. Nëse edhe kjo nuk do të mjaftonte për të nisur një hetim të gjerë për “këmbët e pastra”, siç mund ta quajmë ndryshe historinë e basteve dhe trukimeve në Shqipëri, atëherë nuk ka arsye të besojmë në pastërtinë e futbollit.
NDESHJET NË RAPORTIN E UEFA-s
12 mars 2011
Dinamo – Elbasani 3-1
15 prill 2011
Dinamo-Skënderbeu 2-3
Tirana-Elbasani 6-1
19 mars 2011
Elbasani-Bylis 0-2
1 prill 2011
Laçi-Elbasani 3-1
20 prill 2011
Skënderbeu-Laçi 2-0
Flamurtari-Dinamo 6-2
Besa-Kastrioti 3-2
Elbasani-Teuta 2-4
Bylis-Shkumbini 2-0
24 prill 2011
Shkumbini – Besa 2-2
25 prill
Kastrioti -Teuta 3-1
3 tetor 2011-12-12
Kastrioti-Vllaznia 3-1
Ligji
Ligji është i ashpër kur bëhet fjalë për trukime ndeshjesh. Thelbi i ndryshimeve që u miratuan në “Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë” ose ligjin Nr.7895, datë 27.01.1995, përbën faktin se “paracaktimi i rezultateve në garat sportive përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë deri në 2 vjet burgim. Po kjo vepër, kur kryhet me qëllim përfitimi pasuror, dënohet me burgim nga 2 deri në 7 vjet dhe gjobë nga 100 mijë lekë deri në tre milionë lekë”.

“FSHF na vlerësoi pozitivisht për sfidën Kastrioti-Vllaznia”
Në raportin e UEFA-s shkruhet qartazi se tre arbitrat e ndeshjes Kastrioti-Vllaznia: Albano Janku, Arben Pregja dhe Redi Avdo janë të implikuar në trukimin e këtij takimi. I pyetur nga “Panorama Sport”, kryesori i kësaj ndeshjeje, Albano Janku, ka mohuar kategorikisht që të ketë qenë pjesë e ndonjë trukimi në Superiore dhe ca më pak të ndeshjes Kastrioti-Vllaznia. Sipas tij, ndeshja ka qenë mjaft e fortë, me dyluftime të ashpra nga të dyja skuadrat, aq sa atij iu desh që të nxirrte me karton të kuq një nga lojtarët vendës, pikërisht Erald Turdiun që në pjesën e parë. Por ajo që bën më shumë përshtypje në deklaratën e Jankut, është pohimi se për atë ndeshje, treshja e arbitrave është vlerësuar maksimalisht për gjykimin nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit. “Nuk kam çfarë të them për atë ndeshje. Di që ka qenë një 90-minutësh i ashpër, pasi të dyja skuadrat kërkonin fitore. Mua m’u desh që të nxirrja edhe karton të kuq për një lojtar vendës për ndërhyrje të rëndë. Takimi përfundoi në mënyrë korrekte dhe, për aq sa më takon, nuk pashë ndonjë reagim nga ana e lojtarëve, që të më linte përshtypjen se ishte e trukuar. Përkundrazi, u luajt mjaft fort, siç ju thashë. Sakaq, ju vë në dijeni se për atë ndeshje jemi vlerësuar maksimalisht nga Komisioni i Vlerësimit dhe Meritës në federatë”, ka sqaruar Janku. Por asnjëri prej anësorëve të këtij takimi nuk ka preferuar të bëjë asnjë koment. Nga ana tjetër, duhet thënë se nuk ka qenë vetëm UEFA që e ka klasifikuar këtë ndeshje si të trukuar. Edhe vetë drejtuesit e KF Vllaznia patën deklaruar që ky takim mund të kishte qenë i trukuar duke akuzuar direkt gjyqtarët.
© Panorama.alFSHF në dijeni, fshehu trukimet
E pamundur që Federata Shqiptare e Futbollit të mos ketë pasur dijeni për trukimin e ndeshjeve dhe për më keq, ka heshtur. Në bazë të raporteve që ka dërguar UEFA pikërisht në zyrat e federatës, duket qartë që zyrtarët më të lartë të këtij institucioni kanë pasur dijeni për të gjitha këto ndeshje. Por edhe pasi kanë kaluar disa muaj, jo vetëm që i kanë mbajtur të fshehura në sirtarë, por nuk kanë denjuar as t’ia transmetojnë Prokurorisë, me qëllim hetimin deri në detaj të këtyre takimeve. 12 nga 13 ndeshjet e trukuara, sipas UEFA-s i përkasin vitit të kaluar (fazës së tretë), por federata nuk e ka parë të arsyeshme jo vetëm të mos bënte publik këtë raport kohë më parë, por nuk ka hetuar as vetë, duke u bërë indirekt palë në këtë skandal.











