Frrok Gjikolaj, artisti i verbër që ka nxjerrë në dritë tre libra

Sep 19, 2011 | 12:20
Shkrimtari Frrok Gjikolaj

Ndërsa ecën rrugës me të, të habit për intuitën që ai ka për të gjitha vendet ku i shkel këmba.Është e pabesueshme. Horizonti është i kufizuar për Frrok Gjikolajn që në moshë fare të vogël, por është plotësisht i sigurt të “shëtisë” vetëm nëpër rrugë.  Frroku ka lindur në Manati të Lezhës më 1959, ku nisi mësimet e para të shkollës, deri në vitin 1969 kur pësoi një aksident të rëndë. Një bombë që e gjeti rastësisht i shpërtheu në duar, duke bërë që 10-vjeçari të humbte shikimin. Kanë kaluar shumë vite që atëherë, por në asnjë prej tyre Frroku nuk është dorëzuar. Iu përkushtua studimit dhe aktualisht është mësues psikolog në “Shkollën e Bashkuar” në Zejmen të Lezhës. Aty punon prej disa vitesh. Të qenët mësues nuk është sfida e vetme e Frrok Gjikolajt. Ai është i apasionuar në letërsi dhe së shpejti pret të nxjerrë në dritë librin e katërt të tij.
Vitet pa dritën e syve
Në fakt, në pjesën më të madhe të jetës nuk e ka ndier veten të ndryshëm nga shokët. “Në jetën shkollore nuk kaloi shumë kohë dhe nuk dallohej diferenca fizike, madje ndonjëherë ngjitjet e kateve të shkollës i bënim me vrap dhe vetja më dukej në magjinë e moshës dhe në lartësinë e shokëve. Kështu u rrita dhe kështu u rrit dhe kërkesa për dije, u rritën mundësitë dhe mirëkuptimi, ndjeshmëria e përkushtimi i shoqërisë në këtë rrugë të bukur. Më duhej të udhëtoja disa kilometra vetëm dhe kur shkoja pranë shkollës, dëgjoja zërat gazmorë të shokëve, të cilët më thërrisnin, nganjëherë ma bënin dhe me dorë “do të vish”, por ata shpejt kujtoheshin dhe vinin të më shoqëronin. Gjithmonë kam menduar: A ka njerëz të përkëdhelur nga fati? Por, portat e fatit janë të hapura dhe secili prej nesh duhet të investojë për një rrugë të gjatë si kjo imja”. Pas fatkeqësisë, ai nisi mësimet në Tiranë e më pas të mesmen tek “Hydajet Lezha” në qytetin e Lezhës. Më vonë u diplomua në Shkodër për Gjuhë-Letërsi me një mesatare mjaft të mirë. Duke mos u mjaftuar me kaq dhe duke dashur të krijojë më shumë hapësira, është kualifikuar si operator social pranë institutit “Don Bosko”. Frroku tregon për ditët e para kur nisi punë si mësues në shkollën e Lezhës. “Në fillim më kanë parë me habi dhe më vonë kanë kuptuar qëllimin tim, të njëjtë me të tyrin. Më vonë u kujdesën në ecjen time, më kanë ndihmuar në shoqërim, duke më lexuar. Në shumë aspekte kemi qenë dhe jemi një shoqëri në funksion e në ndihmë të njëri-tjetrit”, thotë ai.
Pasioni për letërsinë
I dhënë pas letërsisë, Frroku jo vetëm ka lexuar shumë, por sot është pjesë e artistëve shqiptarë. Libri i parë i tij me poezi, “Me sytë e shpirtit”, në pamje të parë duket se personifikon vetë autorin. Siç thotë autori, ky libër është një përmbledhje e hulumtimeve në fushën psiko-sociale. “Përmallimi” është libri i dytë, me tregime bazuar mbi fakte jetësore, ndërsa tregimet e librit “Një kafe e hidhët”, botuar një vit më parë, sjell realitetin e Veriut me familjet patriarkale, jetë që udhëhiqet edhe nga zakonet e Kanunit. Emigrantët dhe e shkuara e diktaturës janë po ashtu frymëzim për shkrimet e tij. Publikimin e këtij viti nuk e ka “pagëzuar” ende. Ama, Frroku zbulon se aty do të ketë tregime me motive nga e shkuara e largët dhe tema sociale, çështje me të cilat përballemi edhe në ditët e sotme. Shprehet se është ndier shumë mirë kur lexues të ndryshëm e kanë përshëndetur në rrugë, duke i cituar një varg nga poezitë e tij, ose duke e ftuar në kafe për t’i treguar atij ndjesitë e këndshme që u kishte lënë një tregim. Kjo është arsyeja që e ka shtyrë të shprehë botën e tij të brendshme përmes prozës. Ai gjen gjithmonë kohë për të shkruar, si dhe është një prej drejtuesve vullnetarë të Shoqatës së të Verbërve në Shqipëri. Punon mëngjeseve, pasi atëherë ndihet më i dobishëm. Ndihma më e madhe i vjen nga familja, por pavarësisht mundësive të pakta për të realizuar synimet e tij, ka gjetur forcën të përmbushë një pjesë të tyre. Në një konkurs të librit në Tiranë fitoi çmimin e dytë. “Edhe në të ardhmen do ndihem mirë në rrugën e artit”, thotë ai, duke shtuar se, “brenda vetes kam një etje që s’më shuhet në pifsha dhe dete. Etja ime më e madhe është të hulumtoj dhe të zbuloj vlera, karaktere, virtyte njerëzore dhe t’i jap shoqërisë një mesazh paqeje. Jam ndier plot kurajë”.
I integruar në shoqëri
Për të vetmia është vdekje… Puna si mësues e ka integruar dhe ndihmuar për t’u angazhuar edhe në kërkime. Pavarësisht gjendjes fizike, ai ndihet i integruar në shoqëri dhe jo i paragjykuar. Frrok Gjikolaj është i kënaqur me jetën që bën dhe ndihet tejet aktiv. Ai shprehet se i duket shumë e habitshme për njerëzit që i thonë se si më njohe në zë. “Kjo është një gjë shumë e vogël për mua. Kur isha në moshë të re, lëvizja pa ndihmën e askujt për të shkuar në qytet”. Asnjë ditë nuk kalon pa lexuar. “Nëse një ditë më ikën pa lexuar, më duket humbje kohe. Këto i kam të përgatitura në audio. Një vlerë e shtuar për mua është kualifikimi si operator social”, thotë Frroku. Ai merr shumë shpesh pjesë në seminare të ndryshme. Dhe për këtë ndihet shumë i vlerësuar. “Dua një dorë të ngrohtë të më ndihmojë dhe jo të më dhurojë, sepse botën e shoh me sytë e njerëzve të mirë”.

Botimet
1-”Me sytë e shpirtit”,     poezi
2-”Përmallimi”,         tregime
3-”Një kafe e hidhët”,     tregime

Martesa e lumtur dhe dy fëmijët
Frroku është lumturisht i martuar dhe ka dy fëmijë. Sipas tij, njohja me të shoqen ishte thjesht një rastësi, e cila më vonë u kthye në lidhje, në bazë të thjeshtësisë dhe vlerësimit reciprok. Pavarësisht fatkeqësisë, bashkëshortja e shkrimtarit e ka pranuar Gjikolajn si shok të jetës nga dashuria dhe jo mëshira. “Fati vjen dhe lidhja krijohet, por secili ka nevojë ta forcojë, të investojë, ta bëjë më të bukur me vlerat e shpirtit, me forcën e vullnetit, me dritën e shpresës, thjeshtësinë. Kështu është ushqyer lidhja ime, e cila mendoj se lartësohet çdo ditë dhe më shumë. Jemi shpërblyer gjithmonë në këtë marrëdhënie, duke u ndier të qetë në kërkim të së mirës. Mund të them se e kemi vlerësuar njëri-tjetrin dhe jo mëshiruar. Më këtë dashuri që kemi dhe dy fëmijë që tashmë janë rritur, përpiqemi të jemi bashkëpunues në rrugën tonë të përbashkët. Mirërritja dhe edukimi i shëndoshë i fëmijëve është shërbimi më i madh që i bëhet familjes e shoqërisë dhe ne jemi përpjekur në këtë drejtim, pasi fëmijët tanë janë si të tjerët. Janë fytyra e kohës”.

LEZHE/ BJOLANDA CUKU

© Panorama.al

Te lidhura