Ish-ministri i Jashtëm italian, i cili ia la vendin pak javë më parë një teknokrati në qeverinë e krizës, është shprehur mbi idenë e zgjerimit në BE dhe rëndësinë e Ballkanit, duke vlerësuar veçanërisht progresin e Shqipërisë. Në një koment në agjencinë italiane “Nova”, Fratini tha dje se Ballkani është një rajon “absolutisht strategjik për Europën” dhe se do të ishte “miope” e gjithashtu e “rrezikshme” të jesh kundër zgjerimit të BE-së për vendet e këtij rajoni. Deklarata e ish-ministrit italian të Punëve të Jashtme, Franco Frattini, u bë në një kohë kur disa liderë europianë po i tremben idesë së zgjerimit duke kufizuar dhe shtyrë vendimet për Ballkanin. Megjithatë, si një vlerësues i kritereve të zgjerimit, Frattini ka përmendur veçmas Shqipërinë për konsensusin e arritur së fundmi mes pozitës dhe opozitës.
Sipas Frattinit “Vendi i shqiponjave sigurisht që ka nevojë për reforma të përbashkëta”, por sipas ish-ministrit italian, klima e vendosur mes dy forcave që janë në konflikt, shumica e qendrës së djathtë e Kryeministrit Sali Berisha dhe opozita socialiste e drejtuar nga Edi Rama, është “për t’u vlerësuar”. “Kjo fazë pozitive është iniciuar, kur në drejtimin e një delegacioni të Bashkimit Europian bashkë me kolegun tim grek, Stavros Lambrinidis, jemi përpjekur disa muaj më parë për të nxitur pajtimin. Patëm sukses”, tha Fratini. Sipas tij, Shqipëria duhet të reformojë duke u nisur nga “mekanizmat e kontrollit të fortë të Parlamentit, por kjo nuk duhet të paralizojë aktivitetet e qeverisë”, për të kaluar më pas te “rregullat për të çrrënjosur korrupsionin brenda agjencive publike”, si dhe “reforma zgjedhore”, që Kryeministri Berisha ka ofruar si një gjest pajtimi për socialistët e Ramës.
Duke komentuar vendimet e fundit në takimet europoiane, Frattini tha se “Europa po jeton një fazë krize të rëndë. Një krizë që nuk është vetëm ekonomike, por edhe politike. Nëse vetoja e një vendi në 27 pengon përkufizimin e rregullave të përbashkëta mbi qeverisjen e politikës ekonomike të Europës, siç ndodhi pak më parë në Këshillin e Europës, mendoni se çfarë mund të ndodhë kur flitet për anëtarë të ardhshëm e të rinj potencialë”, tha Frattini. Ai vlerësoi se “ka një lodhje të përgjithshme, e cila varet nga perceptimi që rregullat e Bashkimit Europian po përpiqen të jenë të ndara bashkërisht nga anëtarët e tanishëm, dhe për këtë arsye zgjerimi i mëtejshëm mund të çojë në qëndrime të tjera të ndryshme. Kjo ndjenjë e lodhjes është shumë e rrezikshme për mendimin tim. Nuk merret parasysh se Ballkani është një zonë shumë strategjike për Europën. Kjo pasiguri dhe ky lloj zhgënjimi ndahet nga shumë vende në rajon”, shtoi ai. “Nëse do të lihet në këtë ndryshueshmëri, do të kishte një rrezik të vërtetë për Europën tonë”, theksoi Frattini. “Vetëm BE-ja”, vazhdoi ai, “është në gjendje të veprojë për të përgjumur tundimet e nacionalizmit në Ballkan dhe për të shmangur rrëshqitje pas në të kaluarën e rajonit. Gjithnjë e më shumë stabilitet e më shumë Europë në Ballkan, është e barabartë me më shumë stabilitet dhe më shumë siguri për të gjithë Bashkimin Europian”. Ai shtoi faktin se: “Ne nuk i bëjmë një nder Ballkanit duke i hapur dyert tona, por i bëjmë nder edhe vetes”.
Ish-ministri italian iu referua vendimit të Këshillit për të shtyrë kandidaturën për Serbinë, duke mos ia atribuuar këtë kryesisht tensioneve me Kosovën. “Tensionet në kufi dhe mes bashkësive etnike duhet të tejkalohen, por mënyra e vetme për kapërcimin e tyre është Europa”, tha Fratini. “Incidentet në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, dhe demonstratat në rrugë ku u dogjën flamujt e BE-së, janë shenja që nëse lihen pa marrë parasysh, mund të dëmtojnë më pas”, vazhdoi ai. Edhe më shumë se tensioni me Kosovën, sipas Fratinit, ishte opozita e fortë e Austrisë dhe Gjermanisë, që ndikoi në vendimin e Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive të Bashkimit Europian për shtyrjen në mars të kandidaturës së Serbisë. Sipas ish-titullarit të Ministrisë së Jashtme italiane, “sigurisht që ka ndikuar çështja e tensioneve me Kosovën, por për fat të keq ka ndikuar më shumë një klimë jo pozitive që disa vende, veçanërisht Gjermania dhe Austria, kanë dashur të theksojnë”, pavarësisht perspektivave për zgjerimin e mëtejshëm apo trendit pozitiv për vendet e Ballkanit.
“Kjo është një shumë shqetësuese”, pohoi Frattini. “Unë pres që në shkurt ministrat e Jashtëm të japin një vlerësim të plotë pozitiv të Serbisë dhe Malit të Zi, dhe se në mars udhëheqësit e qeverive ta konfirmojnë këtë vlerësim. Nëse humbet mundësia e shkurtit, Europa do të kalojë një tjetër pengesë të madhe”, shtoi ai. Fratini tha se shpreson që kjo pengesë të mos jetë, duke theksuar se: “Qeveria aktuale italiane vepron në vazhdimësi të plotë me atë që ishte linja ime në politikën ndërkombëtare”.
Ky fakt, sipas tij, konfirmohet nga veprimi i ministrit të ri të Jashtëm italian, Xhulio Terci, i cili “do të vazhdojë të luftojë për një përgjigje pozitive” nga BE-ja mbi zgjerimin. Skenari më i keq që mund të imagjinohet tani në Serbi, është se shtyrja deri në mars e vendimit të kryetarëve të Shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian për kandidaturën e Beogradit mund të “privilegjojë ekstremistët dhe ata që nuk duan anëtarësimin në BE dhe që, në fund të fundit, nuk duan interesin e Serbisë”. Lajmi i shtyrjes u prit me zhgënjim nga Beogradi, deri në pikën që zëvendëskryeministri serb me përgjegjësinë për integrimin europian, Bozhidar Gjeliç, ka dhënë dorëheqjen, që për momentin është “bllokuar” nga qeveria e Serbisë. “Kam lexuar deklaratat e Gjeliç”, tha Fratini, “dhe unë shpresoj se vendimi për të ngrirë dorëheqjen është ruajtur”. Më pas, ai tha se “di që Presidenti Boris Tadiç ka respekt të madh për Gjeliç, dhe e njëjta gjë vlen edhe për Kryeministrin Mirko Cvektoviç”, vazhdoi ai, duke vënë në dukje se vendimi i zv/kryeministrit tregon pjekuri si nga një “angazhim personal”, edhe nga një “demonstrim i seriozitetit”.
Ish-ministri i Jashtëm italian tha se shpresonte që gjesti i Gjeliç të mund të krijojë një shkundje për të larguar çdo dyshim të mbetur mbi rrugën e Serbisë drejt BE”. Në lidhje me Bosnjë-Hercegovinën, rreziku është se “lodhja” e disa vendeve europiane do të mundë të shpërthejë zjarre të shuara plotësisht. “Bosnja është një vend që paraqet vështirësi gjithnjë e me më shumë probleme. Është e vështirë, megjithatë, të kërkojmë nga liderët kombëtarë të Bosnjës të bëjnë më shumë, nëse ne nuk u japim sinjale të fuqishme”, tha Fratini.
“Unë pajtohem me pakënaqësinë e thellë që nuk shoh asnjë qeveri e institucione funksionuese në Bosnjë pas periudhës së madhe që pasuan zgjedhjet”, shtoi ish-kreu i Ministrisë së Jashtme italiane, duke theksuar “të kërkojmë më shumë, duhet që gjithashtu të jemi të gatshëm për të dhënë më shumë”. Sipas Frattinit, është e nevojshme “që të zhvillohet gradualisht Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare dhe të bëhet një strukturë e vërtetë përfaqësuese e Bashkimit Europian: përgjigjja është, edhe një herë, më shumë Europë”. Rumania dhe Bullgaria janë në BE që nga viti 2007, por po e paguajnë me çmim të lartë një “lodhje politike”, që nuk ka të bëjë fare me rekuizitat për t’iu bashkëngjitur hapësirës Schengen, por që “ka shumë të bëjë me idenë se, në thelb, qarkullimi i hapësirës së lirë brenda BE-së duhet të rishikohet”, tha Frattini. Kroacia, së fundmi e vlerësuar nga BE me nënshkrimin e traktatit të anëtarësimit, me kohën do t’ia dijë për meritë qeverisë në largim të Kryeministres Jandranka Kosor, të mundur në zgjedhjet e 4 dhjetorit.“Kush qeveris, paguan pasojat e krizës, edhe nëse realizon një rezultat historik për vendin e tij, si ai i arritur në Kroaci”, përfundoi Frattini.
(Marrë nga agjencia “Nova”)











