
Ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini, dhe ai grek Stavros Lambrinidis, do të jenë javën e ardhshme në Tiranë, në një mision të përbashkët për t’i dhënë një shtysë procesit të integrimit europian të vendit. Misioni i tyre është i koordinuar me Bashkimin Europian dhe bashkë me ta gjatë takimeve do të jetë edhe ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi. Më 12 shtator, ata do të jenë në Tiranë dhe do të zhvillojnë takime me politikën shqiptare për t’i kujtuar Shqipërisë detyrimet që ajo ka ndaj Brukselit dhe ta nxisin atë për përmbushjen e shpejtë të tyre, duke qenë se në muajin tetor Komisioni Europian do të paraqesë opinionin e tij mbi kërkesën për statusin e vendit kandidat. Synimi është që të nxisin dialogun politik në vend dhe përshpejtimin e reformave të nevojshme për përparimin e vendit në procesin e integrimit. Fillimisht ishte menduar që Bashkimi Europian të mund të përfaqësohej në këtë takim me komisionerin për zgjerimin, Stefan Fyle, apo drejtorin e përgjithshëm të Zgjerimit, Stefano Sannino. Por, për shkak të angazhimeve në Bruksel të dy funksionarëve të lartë, të dy ministrat e Jashtëm do të shoqërohen gjatë takimeve të tyre në Tiranë nga ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian, Ettore Sequi. Treshja europiane pritet të ketë bisedime me Presidentin Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha e ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, si dhe me kreun e opozitës, Edi Rama.
“Kthimi i PS në Kuvend, hap pozitiv”
Parlamenti Europian vlerëson rikthimin e opozitës në Parlament dhe vë theksin te bashkëpunimi mes palëve për kryerjen e reformave. Përmes një komunikate për shtyp, kreu i Delegacionit për Ballkanin në PE, Eduard Kukan, “e cilësoi vendimin e socialistëve për të rinisur aktivitetin parlamentar në Kuvend si një hap pozitiv drejt normalizimit të dialogut politik në vend dhe shpreson se Kuvendi do të bëhet forumi kryesor për rinisjen dhe stimulimin e dialogut të nevojshëm nga të gjitha forcat politike”. Sipas tij, plotësimi i 12 prioriteteve dhe kryerja e reformës zgjedhore janë detyrat kryesore për partitë politike.
Grida Duma emërohet zv.ministre e Integrimit
Moderatorja e “Iniciativës për Tiranën”, Grida Duma, emërohet zëvendësministre e Integrimit. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë është miratuar propozimi që shefja e Departamentit të Shkencave Sociale të zërë vendin e Jorida Tabakut në dikasterin që drejtohet nga Majlinda Bregu. Gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 8 majit, Duma ishte shumë aktive teksa moderoi dy herë një debat publik mes intelektualëve dhe kandidatit për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, lidhur me idetë e tij për qeverisjen e këtij qyteti. Ajo do të zërë vendin e lënë bosh prej më shumë se një muaji të nënkryetares aktuale të Bashkisë, Jorida Tabaku. Ish zv.ministrja e Integrimit e mbajti postin për rreth dy vjet dhe më 8 maj ajo ishte kryesuese e këshilltarëve demokratë për Këshillin Bashkiak të Tiranës.
© Panorama.al











