
Konferencë për trashëgiminë kulturore e intelektuale të kësaj zone dhe mundësitë për ta ringritur
Reforma për pushtetin vendor dhe ndarjen e re administrative- territoriale të vendit që po ndërmerr Qeveria është e drejtë. Kjo është e nevojshme në përputhje me ndryshimet ekonomike dhe demografike që kanë ndodhur dhe po ndodhin në vendin tonë. Por, ndarja e re nuk duhet të fshijë nga harta administrative komunën e Frashërit, me vlera të veçanta kombëtare në historinë mbarëshqiptare. Çdo vend europian e ka bërë dhe ribërë këtë lloj reforme administrative territoriale për të siguruar dhe rritur kapacitetin ekonomik të komunës dhe uljen e shpenzimeve burokratike qeverisëse të saj, duke zhvilluar dhe harmonizuar më gjerë burimet e shëndosha tradicionale qytetare të provincave. Por këto reforma janë shfrytëzuar për të çmuar dhe rivlerësuar edhe njësitë rajonale me vlera simbolike të historisë kombëtare, të cilat i kanë shpallur komuna të veçanta, sado të vogla që të jenë ato për nga numri i popullsisë, apo për nga sipërfaqja që ato zënë. E tillë është për Shqipërinë – komuna e Dangëllisë me Frashërin historik si kryeqendër e saj. Sot komuna e Frashërit vërtet përbëhet nga 12 fshatra (Frashër, Kreshovë, Suropull, Miçan, Vërçisht, Gostomickë, Koblarë, Zavalan, Selenicë, Ogren, Kostrec, Gostivisht), por Frashëri ka qenë shtyllë për Shqipërinë gjatë Rilindjes Kombëtare. Të gjithë jemi të interesuar për përjetësimin e Frashërit dhe kërkojmë që Frashëri, për vlerat madhore historike të mbarë kombit shqiptar, të vazhdojë të jetë qendra e komunës së Dangëllisë. Për këtë propozojmë që fshatrave të komunës së sotme t’u shtohen 3 fshatra të rrethit të Skraparit (Qeshibes, Strenec, Kakos), edhe 8 fshatra të rrethit të Kolonjës (Qinam, Radovickë, Gaduç, Shian, Vitisht, Mbreshtan, Dërmar dhe Piskal) dhe 9 fshatra të rrethit të Përmetit (Kosovë, Otovë, Borockë, Pagri, Alipostivan, Raban, Bejkollarë, Odriçan dhe Lupckë), duke e bërë kështu me 32 fshatra këtë komunë, të cilat hyjnë të gjitha në sipërfaqen e Parkut Kombëtar “Dangëlli- Bredhi i Hotovës”. Komuna do të marrë kështu formën dhe domethënien e Dangëllisë historike me qendër Frashërin – kryeqytetin e dashurisë për mëmëdheun dhe i diturisë për historinë e qytetërimit tonë.
Frashëri dje dhe sot
Detyrim historik
Frashëri duhet të ruhet si qendër administrative, mbi të gjitha për vlerat e veçanta historike kombëtare të tij. Banorët e qytezës së Frashërit janë shquar prej kohësh në fushën e veprimtarisë kombëtare dhe kulturore. Edhe në kohën e obskurantizmit anadollak kanë dalë nga gjiri i banorëve të vet intelektualë të shquar më tepër se nga çdo fshat tjetër i trevës shqiptare. Nga Frashëri kanë dalë tre vëllezërit, Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri, të cilët simbolizojnë Rilindjen tonë Kombëtare. Në Frashër është Shtëpia Muze e Vëllezërve Frashëri, e cila vizitohet nga shqiptarë të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Çamërisë, Malit të Zi dhe mbarë diasporës. Aty është Teqeja e Frashërit- qendër e patriotizmit, në të cilën janë bërë pesë kuvende në kohën e Rilindjes për çështje kombëtare, si dhe është themeluar Dega e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për Jugun e Shqipërisë. Në Frashër është më e hershmja shkollë shqipe, ku në shek. 19 mësuan gjuhën shqipe të tre vëllezërit nga paraardhësit e tyre. Siç e ka cilësuar Mihal Grameno, vetë Frashëri është si Jeruzalemi i Palestinës për të krishterët, dhe si Meka e Arabisë për myslimanët. Pas Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, shteti shqiptar ka pasur vazhdimisht ministra, deputetë, funksionarë, akademikë, profesorë, mjekë, inxhinierë, artistë, madje edhe kryeministra me origjinë nga Frashëri, të cilët kanë dhënë kontribut të shquar në përparimin e Shqipërisë. Për këto arsye, është detyrimi ynë historik të ndihmojmë Frashërin në vështirësinë jetike të tanishme, që të mos zhduket nga harta gjeografike, sepse do të na duhet përjetë në rrugën tonë të bashkëjetesës mbarëkombëtare.
Rigjallërimi i Frashërit si qendër e komunës së Dangëllisë:
Së pari, Frashëri duhet të rigjallërohet si qytezë malore, prej interesit të pashuar të vizitorëve për historinë e tij. Mbi të gjitha, për kontributin e veçantë në kulturën kombëtare. Duhet të jetë qendër komune si vendlindja e vëllezërve Frashëri. Ka potencë të jashtëzakonshme historike dhe morale për shtetin e sotëm bashkëkohor modern. Së dyti, Frashëri duhet të ruhet për vlerat turistike urbane. Është mundësia të rindërtohen shtëpitë e dikurshme nga vetë pronarët e tyre, të cilat do të vihen në dispozicion të turizmit vjetor të çdo stine. Është bërë një projekt për ruajtjen urbane të qytezës së vjetër të Frashërit, në përcaktimin e rrënojave të banesave të dikurshme, të rrugëve, veprave sakrale bektashiane dhe të krishtera, të cilat do të restaurohen sipas pamjes arkitektoniko-ndërtimore deri para vitit 1914. Rindërtimi i tyre do të përkrahet nga vetë familjet pronare të Frashërit. Ndërtesat do të vihen në dispozicion të turizmit vjetor të çdo stine, duke ndërtuar një administratë qendrore në komunë dhe infrastrukturën e nevojshme të punësimit për jetëzimin urban të fshatit turistik. Së treti, rezervatet e pasura ambientale të Frashërit me florë dhe faunë të pazëvendësueshme të Bredhit të Hotovës me Lajthizën e Ogrenit, mundësojnë ngritjen e parkut për gjueti të kontrolluar, duke e infrastrukturuar atë me turizmin veror dhe dimëror, sportin e skisë gjatë dimrit dhe ekskursionet turistike gjatë verës. Së katërti, është menduar ndërtimi i një spitali (sanatorium për sëmundjet e mushkërive) në Frashër. Specialistët kanë zbuluar se ajri i mjedisit ambiental të Frashërit pranë Bredhit të Otovës ka një pasuri të spikatur me ozon, të tillë që është kuruese për sëmundjet e mushkërive, për pacientë vendës si dhe të huaj. Gjithashtu këtë lloj kurimi e plotëson edhe uji i këtij fshati, si ujë lajthie, është përcaktuar me epërsi për kurimin e këtyre lloj sëmundjeve. Së fundi, familjet që do të rivendosen në Frashër, ku nuk ka toka buke, do ta përballojnë jetën jo me bujqësinë e drithërave, por me pasuritë e frutikulturës, bletarisë dhe bimëve etero-vajore dhe mjekësore (medicinale). Të gjitha këto mund të realizohen vetëm në rast se plotësohet kushti themelor: rregullimi i rrugës automobilistike Përmet-Frashër, e cila sot është në gjendje të vajtueshme. Është një rrugë, e cila zgjatet jo më tepër se 25 km, e cila po të rregullohet, e bën udhëtimin në më pak se gjysmë ore. Është i njohur parimi në historinë e ekonomisë botërore, se shteti ka për detyrë të ndërtojë rrugët, të tjerat vijnë vetë. Shembull janë komunat alpine europiane (Zvicër, Gjermani, Itali, Francë), të cilat në sajë të rrugëve të ndërtuara nga shteti mbijetojnë me potencialet e veta ekonomike.
* * *
Frashëri është historia e një fshati, dikur të lulëzuar dhe sot pothuajse të braktisur. Ai ka një histori të veçantë, e cila ngjan sikur është historia kombëtare e Shqipërisë në miniaturë, me të gjitha meritat dhe me të gjitha fatkeqësitë e saj. Qyteti i vogël Frashër u shqua nga jeta intelektuale, pra edhe për nga jeta kulturore. Ai është fshati që i ka dhënë Shqipërisë universitarët e parë, është fshati që i ka dhënë Shqipërisë tre yje të pashuar, tre pionierët e mëdhenj. Koha i ka ngritur të tre vëllezërit në tempullin e identitetit tonë kombëtar. Mbi të gjitha për gjuhën shqipe, të cilën ata e shkruan në mënyrë aq të kulluar dhe mbajtën në gojë në përpjekjet për liri, gjuhën e pangjashme dhe të pavarur nga të gjitha gjuhët e viseve përreth, gjuha që identifikon vetëm një komb, kombin shqiptar. Të mos i harrojmë fatkeqësitë që ka pësuar fshati në të kaluarën, i cili nuk dallon nga fatkeqësitë që ka pësuar kombi ynë. Prandaj e përsërisim, të mos e braktisim Frashërin, të mos e lëmë të shuhet nga harta gjeografike.
Më 6 maj 2014, mbushen 100 vjet nga koha kur Frashëri u dogj e u përzhit i tëri nga andartët grekë. Fondacioni “Qendra Frashëri” në Tiranë dëshiron që në kujtim të djegies së Frashërit, të organizojë në Tiranë më 6 maj 2014 ora 10:00 në sallën e Muzeut Historik Kombëtar Tiranë një konferencë shkencore me temë “Vendi që zë Frashëri në historinë e Shqipërisë dhe për projektet për rigjallërimin e tij si qendër e komunës së Dangëllisë”. Do të marrin pjesë akademikë, profesorë, doktorë të shkencave, të cilët do të risjellin në memorien e popullit shqiptar të kaluarën e ndritur të këtij qyteti të vogël të dikurshëm malor dhe do të trajtojnë në tërësi vlerat e veçanta historike, kulturore dhe politike të kësaj qyteze dhe të trevës së Dangëllisë për historinë e Shqipërisë. Ata do të argumentojnë nevojën e domosdoshme për të mbajtur gjallë vlerat historike të këtij vendbanimi. Studiuesit do të hedhin dritë mbi gjurmët parahistorike të trevës së Dangëllisë, mbi rolin e Teqesë së Frashërit si qendër patriotike gjatë Rilindjes, mbi lidhjen e ngushtë të Frashërit me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, mbi letërsinë popullore, letrarët e hershëm dhe penat e mëdha letrare të Frashërllinjve, mbi muzikën popullore të Dangëllisë, mbi çetat patriotike të Frashërit në pragun e Shpalljes së Pavarësisë, mbi familjet dhe personalitetet e shquara të tij, mbi kontributin e Frashërit në Luftën Nacionalçlirimtare dhe dëshmorët e tij. Do të paraqitet gjithashtu historiku i Muzeut të Vëllezërve Frashëri dhe argumentet për dhënien e statusit kombëtar të tij. Mbi të gjitha do të parashtrohen pikëpamjet dhe projektet, se si do të rigjallërohet ky vendbanim si qendër komune për të ardhmen, duke shfrytëzuar vlerat e tij historike si vendlindja e tre pishtarëve të mëdhenj të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri, madje duke i infrastrukturuar këto vlera si pasuri turistike të tij. Konferencën do ta shoqërojë në mbyllje një “Ekspozitë retrospektive nga koleksionet e vlerave të rralla: Sami dhe Naim Frashëri”, organizuar nga Biblioteka Kombëtare Tiranë. Dëshirojmë që në konferencë të njoftojmë, se shteti dhe qeveria e shohin me vend angazhimin e tyre për ta ruajtur Frashërin si qendër të komunës dhe në të njëjtën kohë për të ndërtuar rrugën automobilistike që lidh Përmetin me Frashërin. Konferenca është pjesë e pelegrinazhit të përvitshëm që do të organizohet nga komuna e Frashërit, edhe kësaj radhe në “Ditën e Naimit”, më datën 25 maj 2014 në Frashër, ku jeni të ftuar të merrni pjesë të gjithë.
Qendra “Frashëri”, Tiranë
GJERGJ FRASHËRI
© Panorama.al











