Frankfurt, kosovari pranon vrasjen e amerikanëve

Sep 1, 2011 | 11:49

Një kosovar ka pranuar se ka vrarë dy ushtarë amerikanë në Aeroportin e Frankfurtit, duke deklaruar se ai ka qenë i influencuar nga propaganda radikale islamike online. Arid Uka, 21 vjeç, akuzohet për vrasjen e 25-vjeçarit, Nikolas Alden, dhe 21-vjeçarit, Zakari Kadebek, të dy anëtarë të forcave ajrore amerikane, që ndodheshin në një autobus të ushtrisë amerikane të parkuar në Aeroportin e Frankfurtit, në muajin mars. Vrasja e ushtarëve amerikanë bëri bujë në Gjermani, pasi edhe pse vendi ishte goditur nga sulme terroriste, si ato nga grupi i majtë “Ushtria e Kuqe”, sulmi i aeroportit ishte i pari që iu atribuua ekstremizmit islamik. Uka i pranoi vrasjet menjëherë pas leximit të akuzës duke i thënë Gjykatës: “Ajo që bëra unë ishte e gabuar, por unë nuk mund ta zhbëj”. Ai tha se gjatë muajve para sulmit rrinte në shtëpi, luante në kompjuter dhe shikonte video islamike në internet. Natën para krimit, Uka tha se po shikonte një video të postuar në Facebook, ku tregoheshin disa ushtarë amerikanë duke përdhunuar një vajzë myslimane. Më pas rezultoi se ajo ishte skenë e filmit “Redacted” të vitit 2007, të regjisorit kundër luftës, Brian De Palma. Uka tha se vendosi të bënte ç’ishte e mundur për të ndaluar ushtarë amerikanë që të shkonin në Afganistan. “Mendova se ajo që pashë në video do të ndodhte nga këta njerëz në Afganistan”, tha ai duke fshirë lotët.

© Panorama.al

Te lidhura