Franca dominon, Anglia “bunker” i pakalueshëm

Jun 12, 2012 | 15:33
Francë-Angli 1-1

Franca dhe Anglia ndajnë nga një pikë në ndeshjen e tyre të parë në Europian. Për anglezët shënoi i pari Leskot, ndërsa më pas barazoi Nasri për blutë e Lorent Blank. Një barazim që në fund rezultoi i pranueshëm më shumë për anglezët, sesa për francezët. Në supersfidën e grupit D, të luajtur në “Donbass Arena” të Donetsk, loja foli më shumë për ekipin e Blank, i cili dukej qartë se ishte një shkallë më lart se rivalët e tyre. Ndërsa Anglia e targuar: Roi Hoxhson, u mundua që më së shumti të mbante larg treshen e frikshme, Riberi- Benzema-Nasri dhe të shfrytëzonte në maksimum goditjet standarde. Pa Runin e skualifikuar për dy ndeshjet e para, tekniku i anglezëve iu fal talenteve të reja, si Çamberlein dhe Uelbek, të mbështetur nga një “usta” si kapiteni Stiven Zherard. Sakaq “gjelat” e Blankut përgjigjen me një 4-3- 3: çka do të thotë që nuk ka vend për Menez e Ben Arfanë për t’i dhënë hapësirë Maludasë në të majtë dhe Nasrisë. Kontrolli i topit është menjëherë në duart e francezëve, që kanë një Debushi në krahun e djathtë të mbrojtjes, i cili shtyn skuadrën përpara. Por, rasti i parë i ndeshjes i takon ishullorëve. Jang vertikalizon për Milnerin, duke e shfaqur mesfushorin e Sitit përpara portierit Loris. Driblimin e bën mirë, por gabon totalish në shënjestër, duke e nxjerrë topin jashtë (prek rrjetën e jashtme). Mjafton ky rast për të zhbllokuar ndeshjen. Kalon gjysmë ore lojë dhe Leskot i shpëton mbulimit të Diarrasë. Qendërmbrojtësi i kampionëve të Anglisë dërgon në rrjetë me kokë një krosim të Xherrardit nga një goditje dënimi. Anglia, e cila nuk kishte parashikuar se do të ndodhej në këto pozita pas 30 minutash lojë, tërhiqet për të mbrojtur avantazhin. Kalojnë vetëm 5 minuta, kur porta e Hartit drithërohet. Diarra kërkon të shlyejë gabimin. Gjuan me kokë, por Hart grushton. Riberi rikthen topin te mesfushori i Marsejës, por kësaj radhe ai gabon shënjestër duke e dërguar sferën jashtë. Megjithatë, goli do të vijë 4 minuta më vonë. Në krahun e djathtë, Nasri dërgon një diagonale nga jashtë zone direkt në rrjetën e Hartit, i cili e shikon topin vetëm në sekondën e fundit dhe reagon shumë vonë. Me kaq përfundon pjesa e parë. Ai që pret diçka më shumë pas kthimit nga dhomat e zhveshjes, gabohet. Sepse pjesa e dytë është një mërzi totale për këdo që është dhe nuk është tifoz. Shohim vetëm gjuajtje nga jashtë zone. E para i takon Kabajesë, goditje e devijuar nga Uelbek në goditje këndi. Franca i sposton anglezët në gjysmëfushën e tyre, por nuk shtyn dot përtej bunkerit të Hoxhsonit, duke qarkulluar topin gjithnjë horizontalisht. Në një ndeshje që askush nuk donte ta fitonte, vjen dhe vërshëllima finale e Ricolit, e cila çliron publikun në shkallët e “Donbass Arena”-s.

SKEDA E NDESHJES
Francë-Angli 1-1

Shënues: Nasri 39’/ Leskot 30’
Kartonë të verdhë: Çambërlein, Jang
Gjyqtarë: Nikola Ricoli/ R.Faverani dhe A.Stefani (ITA)
Franca (4-1-2-3): Loris, Debushi, Mekses, Rami, Evra,
A.Diarra, Kabaje (Ben Arfa 84’), Malouda (Martin 85’), Nasri,
Benzema, Riberi. Trajner: Lorent Blank
Anglia (4-4-1-1): Hart, Xhonson, Terri, Leskot, A.Kol, Milner,
Zherard, Parker (Henderson 78’), Çamberlein (Defoe
77’), Joung, Uelbek (Ualkot 90’). Trajner: Roj Hoxhson
ANALIZA E NDESHJES
Më i miri – Samir Nasri ka qenë edhe lojtari më i mirë në
fushën e lojës për të dyja skuadrat. Fantazisti i Mançester
Sitit shënoi golin e barazimit për “gjelat”, si dhe ishte lojtari
që rrezikoi më shumë portën e Hugo Loris.
Më i dobëti – Florent Malouda ishte futbollisti më i dobët
në fushën e lojës. Mesfushori i Çelsit nuk arriti asnjëherë që
të vihej në shërbim të skuadrës.
Çelësi i përballjes – Që të dyja skuadrat shfaqën qartazi
frikën se mund të humbnin ndeshjen duke komplikuar gjithçka,
ndaj edhe loja u përqendrua më shumë në mesin e
fushës. Edhe golat erdhën nga gabime të portierëve dhe jo
si logjikë e aksioneve.
Moviola – Minuta e 14-të, kontakt në hyrje të zonës mes
Joung-Evra, arbitri vazhdoi lojën. Duhej dhënë goditje dënimi
për anglezët. Minuta e 36-të, faull taktik i Kabaje ndaj Parker,
arbitri nuk dha karton të verdhë ndaj francezit. Minuta e 54-t,
pasime të bukura në hyrje të zonës mes Zherard-Uelbek dhe
një ndërhyrje e fuqishme e Debushi në dëm të kapitenit të
Anglisë, arbitri vazhdon lojën, por kishim të bënim me një
faull. Në minutën e 76-të, Uelbek proteston te arbitri për një
faull të padhënë ndaj tij, por Ricoli as nuk jep faull dhe as nuk
ndëshkon sulmuesin anglez për protestë të tepruar.

Blank “qan” pikët: Duhej të fitonim
Loren Blank e pranon se Franca e tij vuajti nga nervat. Ndeshja ishte e një tensioni të jashtëzakonshëm, por edhe barazimi 1-1 nuk ishte fundi i botës për “gjelat” e tij. “Ajo çka më shqetësoi disi është se pashë shenja frike te skuadra për të mos humbur një ndeshje kaq të rëndësishme, por kjo është diçka normale kur ke përballë Anglinë. Pas golit që pësuam, paradoksalisht ndryshoi dhe loja jonë për mirë. Aty nisëm dhe të luajmë futbollin tonë. Ndërsa në pjesën e dytë mendoj se duhet të kishim shënuar një gol të dytë, të mjaftueshëm për ta fituar ndeshjen. Në fund, mendoj se barazimi ishte rezultat i drejtë”, pohoi tekniku i “gjelave” në konferencën për shtyp pas ndeshjes.

Hoxhson: Kisha frikë, krenar për lojtarët
Roi Hoxhson është i kënaqur nga ajo që bëri Anglia e tij në këtë ndeshje të parë me Francën dhe kjo e bën optimist për rrugëtimin e kombëtares ishullore. “Jam shumë krenar për paraqitjen e lojtarëve të mi. Ndoshta pasimi i fundit duhet të përmirësohet në ndeshjet e ardhshme, por ne treguam shenja të një skuadre që di të bëjë mirë. Të arrish një barazim 1-1 me Francën dhe të pyetesh se çfarë mendon, atëherë mund të jap vetëm një përgjigje: që jam i lumtur. Nuk i dhamë asnjë shans Francës, por nuk dua të mohoj se kur ishin përpara portës sonë më zinte paniku në njëfarë mënyre. Me pak fat, edhe ne mund të kishim shënuar një gol të dytë”, – u shpreh pas ndeshjes 64-vjeçari.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura