FOTOT/ Jepnin fajde me burime kriminale në “Exchange”, arrestohen 3 anëtarët e një fisi nga Lazarati, një i katërt në kërkim! Ja çfarë u sekuestrua

Dec 11, 2025 | 16:10

Katër anëtarë të një fisi, respektivisht dy vëllezër dhe dy djemtë e tyre, janë marrë nën akuzë për dhënie të parave me fajde, të ardhura që dyshohet se kanë burime të paligjshme dhe kriminale, nëpërmjet pikave Exchange në Tiranë dhe Gjirokastër.

gjirokaster arrestim

Policia vendore e Gjirokastrës bëri sot me dije se finalizoi pas hetimeve me metoda proaktive operacionin e koduar “Trace the flow”.

Në pranga ranë 3 prej të dyshuarve dhe një i katërt u shpall në kërkim.

“Në 2 subjekte “Exchange”, në Tiranë dhe në Gjirokastër, jepnin me fajde, para me burime kriminale, arrestohen 3 shtetas (ndërmjet tyre, organizatori) dhe shpallet në kërkim 1. 4 shtetasit e përfshirë, 2 vëllezër me 2 djemtë e tyre”, tha policia.

Pas kontrolleve të kryera u bënë edhe një sërë sekuestrimesh, kryesisht shuma monetare.

parate gjirokaster

“Nga 2 subjektet dhe nga banesat e këtyre shtetasve, u sekuestruan: 26 963 200 lekë, 132 760 euro, 42 596 dollarë amerikanë, 8 780 paunde, 10 380 franga, 3145 dollarë kanadezë, 85 720 lira turke, 18 blloqe me shënime, 6 kompjuterë, 6 celularë dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë vijimit të hetimit”, sqaroi policia.

Aksioni erdhi si rezultat i një hetimi disamujor, të ndjekur me metoda speciale, në drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës, për provimin e një rasti të pastrimit të parave me burime të dyshimta, nëpërmjet huadhënies së tyre, me përqindje të lartë fitimi, si dhe nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiar.

“Gjatë operacionit u vunë në pranga shtetasi R. K., 56 vjeç, vëllai i tij, shtetasi L. K., 59 vjeç, si dhe djali i 59-vjeçarit, shtetasi P. K., 28 vjeç, si dhe u shpall në kërkim djali i 56-vjeçarit, shtetasi B. K., 27 vjeç, të katërt banues në fshatin Kordhocë, Lazarat”, bëri me dije policia.

gjirokaster2

Nga hetimet dyshohet se nëpërmjet 2 subjekteve “Exchange” në pronësi të 56-vjeçarit, në Gjirokastër dhe në Tiranë, 4 familjarët jepnin me fajde, para të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale.

Punohet intensivisht për kapjen e 27-vjeçarit.

gjiokaster parate

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “skemat mashtruese dhe piramidale”, “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “fshehja e të ardhurave”.

© Panorama.al

Te lidhura