Pasi ka përfunduar turneun e gjatë që për më shumë se një vit e çoi të udhëtonte nëpër mbarë botën, Dua Lipa ka vendosur t’i dhurojë vetes një periudhë pushimi të merituar në shoqërinë e të dashurit të saj, Callum Turner.
Çifti, i cili pritet të martohet në të ardhmen e afërt, ka zgjedhur Meksikën për disa ditë relaksi absolut mes bikini mbresëlënëse, notit në pishinë, natyrës dhe lojërave me letra.
Pas 81 koncerteve në 13 muaj, Radical Optimism Tour-i i yllit britanik të pop-it u mbyll në fillim të dhjetorit në Mexico City. Për pushimet e saj të para pas një periudhe intensive angazhimesh profesionale, Dua Lipa ka zgjedhur të qëndrojë pikërisht në Meksikë, ku iu bashkua edhe i dashuri i saj Callum Turner, për një arratisje romantike nën shenjën e dashurisë.
“Valixhja ime është gjithmonë gati”, ka shkruar 30-vjeçarja në Instagram, duke shoqëruar postimin me një sërë fotosh nga pushimet në Meksikë. Ajo u dhuroi mbi 88 milionë ndjekësve të saj në rrjetin social të Meta-s edhe disa imazhe të reja me bikini, ku shfaqet në super formë.
Mes selfie-ve para pasqyrës, fotove të kuruara dhe momenteve në plazh, Dua Lipa po ashtu është fotografuar nga ‘Paparazzi’ përkrah partnerit të saj buzë detit, teksa të dy po shijojnë pushimet e tyre.
Tashmë që Dua Lipa është zyrtarisht e lirë nga koncertet, fansat kanë nisur të pyesin se kur do të vijë momenti i shumëpritur i “po”-së me Callum Turner. Propozimi për martesë ka ardhur një vit më parë dhe këngëtarja ka deklaruar disa herë muajt e fundit se dëshironte të martohej vetëm pas përfundimit të turneut.
Gjithçka do të varet nga angazhimet profesionale të aktorit britanik, i cili po përjeton një moment shumë të suksesshëm në Hollywood pas roleve në sagën Fantastic Beasts dhe në serialin Masters of the Air.
Prej disa javësh po qarkullojnë zëra se 35-vjeçari mund të shpallet së shpejti si James Bond-i i ri, por edhe pa rolin e agjentit 007, axhenda e Turner është tashmë shumë e ngjeshur. Xhirimet e serialit Neuromancer për Apple TV sapo kanë përfunduar, ashtu si edhe ato të filmit Rosebush Pruning, ndërsa xhirimet e One Night Only kanë nisur prej disa javësh.
Menjëherë pas kësaj, Turner do të udhëtojë drejt Omanit për të xhiruar Alone Together, filmin e ri të Ben Sharrock, ku do të luajë përkrah Adria Arjona dhe Amir El-Masry.
Sipas ekspertëve të showbiz-it, për ditën e shumëpritur të dasmës do të duhet të pritet të paktën gjysma e dytë e vitit 2026, me mundësinë që angazhimi i mundshëm si James Bond ta shtyjë edhe më tej realizimin e planeve të çiftit.
© Panorama.al
























