FOTOLAJM/ Dhurata e pazakontë e Erdoganit për liderët e NATO-s, këto janë revolet me emrat e tyre të gdhendur dhe plumba të vërtetë

Jul 9, 2026 | 17:17

Janë publikuar fotografi të dhuratës së pazakontë që presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, u bëri liderëve të NATO-s që morën pjesë në samitin e Aleancës.

ergogan arma revole dhurate

Sipas mediave turke, bëhet fjalë për një revole me emrin e secilit lider të gdhendur mbi të, e shoqëruar me një kuti që përmbante fishekë të vërtetë.

Çdo armë ishte vendosur në një kuti druri, e dekoruar me flamurin e Turqisë dhe logon e NATO-s. Në kuti ishte vendosur edhe një pllakë ku shkruhej në turqisht dhe anglisht: “Gumusay, revolveri i parë i prodhuar në vendin tonë.”

erdogan arma revole dhurata nato (1)

Sipas zyrtarëve evropianë, të cituar nga Politico, armët, të cilat shoqëroheshin edhe me fishekë dhe një set të posaçëm për pastrimin e tyre, iu dorëzuan të mërkurën nga Erdogan edhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si dhe presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Një zyrtar i Këshillit Evropian bëri të ditur se ekipi i sigurisë së Antonio Costës mori në dorëzim revolen për të kryer kontrollet e nevojshme.

“Do të ndjekim procedurat belge për transportin e saj dhe më pas arma do të ruhet sipas standardeve të sigurisë të Sekretariatit të Përgjithshëm të Këshillit,” deklaroi ai.

erdogan arma revole dhurata nato (2)

Nga ana tjetër, një zëdhënës i Ursula von der Leyen tha se presidentja e Komisionit Evropian e falënderoi Erdoganin për dhuratën. Ai shtoi se arma do të transportohet dhe ruhet në mënyrë të sigurt, ndërsa pasi të çaktivizohet, synimi i saj është ta dhurojë në një muze ushtarak.

Edhe pse bëhet fjalë për dhurata me karakter simbolik, ato mund të bien ndesh me rregullat e rrepta të Bashkimit Evropian lidhur me vlerën e dhuratave që lejohen të pranohen nga zyrtarët evropianë, sipas njërit prej burimeve të cituara.

Për këtë arsye, konsiderohet e pamundur që marrësit t’i mbajnë armët si sende personale.

Disa liderë të tjerë evropianë, mes tyre kryeministri britanik Keir Starmer dhe kryeministri holandez Rob Jetten, kanë deklaruar publikisht se do t’i lënë armët në Turqi për t’u çaktivizuar fillimisht, përpara se të transportohen në vendet e tyre.

erdogan arma revole dhurata nato (3)

© Panorama.al

Te lidhura