Fotografia zbulon të kërkuarin

Sep 11, 2011 | 11:29

Mospërputhja e fotografisë së pasaportës me fytyrën e mbajtësit të saj ka mbushur me dyshim policin kontrollor në pikëkalimin kufitar të Morinit, i cili pak ditë më parë ndaloi një kosovar me pasaportë biometrike të falsifikuar.Më vijim i është dashur vetëm të thellohej paksa në verifikim për të kuptuar se pasaporta biometrike e paraqitur nga qytetari, që po futej në territorin shqiptar, i përkiste dikujt tjetër. Kaq ka mjaftuar që Elbasan Sejdiu të arrestohej në kushtet e flagrancës, pas dyshimeve se kishte konsumuar veprën penale të “përdorim të pasaportës së falsifikuar”. Gjatë shpjegimeve para policisë, ai ka dhënë disa versione në lidhje me pasaportën që kishte treguar në pikën e kontrollit. Pak ditë më parë, shtetasi kosovar Sejdiu, 24 vjeç, u paraqit në Gjykatën e Tiranës për caktimin e masës së sigurisë. Në përfundim të seancës, trupi gjykues pranoi kërkesën e përfaqësuesit të Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj tij. Sipas Gjykatës, ekzistonte dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova, se Sejdiku kishte konsumuar veprën për të cilën akuzohej. I ligjshëm u cilësua nga Gjykata edhe arrestimi i tij në kushtet e flagrancës.
TENTATIVA
Referuar vendimit të Gjykatës, shtetasi kosovar kishte tentuar të kalonte në pikëkalimin kufitar të Morinit, në drejtimin Kosovë-Shqipëri, duke u paraqitur me identitetin e një shtetasi shqiptar. “Ky shtetas ka kërkuar të hyjë në Republikën e Shqipërisë, nëpërmjet pikës kufitare të Morinës duke përdorur një pasaportë biometrike shqiptare të falsifikuar me gjeneralitetet e shtetasit Amarildo M. Ai e ka paraqitur këtë pasaportë, por punonjësit e Policisë së Shtetit kanë vërejtur diferencën midis pamjes reale të personit dhe fotos në pasaporte, dhe kanë thelluar verifikimet. Në vijim, ka rezultuar se kjo pasaportë biometrike ishte shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit, më datë 28.6.2011. Në këtë mënyrë, mbi shtetasin kosovar, Elbasan Sejdiu, ka dyshime për konsumimin e veprës penale ‘përdorim të pasaportës së falsifikuar'”, thuhej në vendimin e Gjykatës. Masën ekstreme të sigurisë “arrest me burg” Gjykata e arsyetonte me faktin se i dyshuari Sejdiu ishte shtetas kosovar dhe si i tillë ekzistonte mundësia që ai t’i shmanget hetimit. Me tej, Gjykata pohonte se “kemi të bëjmë me një ngjarje që dëmton opinionin dhe shoqërinë shqiptare”.

Skema e falsifikimeve

Pak javë më parë, Prokuroria dhe Policia shqiptare kanë ngritur akuzë ndaj gjashtë personave, që kryenin nxjerrjen e pasaportave biometrike të falsifikuara. Duke përdorur të dhënat brenda sistemit, ata u jepnin shtetasve kosovarë pasaporta false biometrike, teksa i paraqisnin ata si shtetas shqiptarë. Kjo bëhej me anë të përdorimit të fotove të kosovarëve që merrnin emrin, mbiemrin dhe datëlindjen e shtetasve shqiptarë, që nuk kanë marrë ende pasaportë biometrike.

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura