Gjykata e Durrësit mbajti sot (18 korrik) seancën për dhënien e masës së sigurisë për ish-drejtoreshën, shefen e financës dhe arkëtaren e filialit të Postës Shqiptare, të cilat u arrestuan tre ditë më parë pasi nuk arkëtuan në arkën e degëve Shijak dhe Krujë, shumën 69 milionë lekë të rinj, të destinuar për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale.
Gjykata e Durrësit pasi ka vendosur masën e sigurisë për tre punonjëset e postës, teksa vlerësimi i ligjshëm i masës së ndalimit, u shpreh për:
–Arrest me burg, Elisabeta Mataj
-Arrest në shtëpi, Valbona Duni
-Arrest në shtëpi, Paola Danaj
Seanca u mbajt me dyer të mbyllura.
Elisabeta Mataj (foto poshtë), e cila u shkarkua pak ditë më parë nga posti i drejtoreshës së filialit të Postës Shqiptare në Durrës, shefja e financës Valbona Doni dhe arkëtarja Paola Dana janë arrestuar nga policia pas denoncimit dhe hetimeve që nisën për abuzim me miliona lekë me fondet e institucionit.
Ndalimi i tyre u bë në funksion të procedimit penal të regjistruar nga Prokuroria, për veprat “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, të kryera në bashkëpunim.
Nga hetimet dyshohet se, gjatë muajve prill dhe maj 2026, këto shtetase kanë përvetësuar shumën 69 milionë lekë të rinj, e cila ishte planifikuar të arkëtohej nga filiali i Postës Shqiptare Durrës, për degët Shijak dhe Krujë, me qëllim shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale për qytetarët e këtyre zonave.
Prokuror i çështjes është Gazmend Frëngu, ndërsa gjyqtar Xhevdet Lika.
Vendimi i Gjykatës Durrës:
“1. Pranimin e pjesshëm të kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
- Vleftësimin si të ligjshëm të ndalimit të personave nën hetim E. M., V. D. dhe P. D.
- Caktimin ndaj personit nën hetim E. M masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 135 dhe 25 i K.Penal.
- Caktimin ndaj personit nën hetim V. D. masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 135 dhe 25 i K.Penal.
- Caktimin ndaj personit nën hetim P. D. masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 135 dhe 25 i K.Penal.
- Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personave nën hetim V.D. dhe P. D.nga dhomat e paraburgimit nëse nuk mbahen të paraburgosur për ndonjë vepër tjetër penale.
- Urdhërohet personi nën hetim V. D. të qëndroi dhe të mos largohet nga banesa e saj në Lagjen Ilira, Plazh, Durrës.
- Urdhërohet personi nën hetim P. D. të qëndroi dhe të mos largohet nga banesa e saj në Lagjen nr.13, Durrës.
- Ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe policia gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
- Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 5 (pesë) diteve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke filluar nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të gjykatës.
U shpall në Durrës, me datë 18.07.2026”.
© Panorama.al

















