Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin pasditen e kësaj të hëne kanë krijuar menjëherë situatë problematike dhe shqetësuese për qarkullimin rrugor në qarkun e Korçës, veçanërisht në aksin që lidh Moglicën me Gramshin.
Si pasojë e motit të keq dhe përkeqësimit të menjëhershëm të kushteve atmosferike, masa të mëdha dheu dhe gurësh janë shkëputur nga shpatet anësore të malit, duke përfunduar në rrugë.
Kjo rrëshqitje ka bllokuar një pjesë të konsiderueshme të aksit, duke vështirësuar tejet lëvizjen e automjeteve që udhëtojnë në këtë zonë.
Burimet nga terreni bëjnë me dije se aktualisht lëvizja e mjeteve po zhvillohet me mjaft vështirësi dhe puna po bëhet vetëm në njërin krah të rrugës.
Ndërhyrja e plotë e mjeteve për pastrimin e të gjithë rrugës mbetet ende e vështirë për shkak se ka prurje dhe rënie të vazhdueshme të dherave nga skarpatat.
Në vendngjarje ndodhen edhe autoritetet lokale dhe grupet e punës të mirëmbajtjes rrugore.
© Panorama.al













