Formati i ri i Kupës së Botës 2026 mund t’i vendosë Spanjën, Brazilin, Argjentinën dhe Holandën në një pozitë më të pafavorshme, edhe nëse fitojnë grupet e tyre, pasi këto katër kombëtare do të përballeshin me skuadra të renditura të dyta në grupe, të cilat në teori janë kundërshtarë më të fortë sesa ekipet që përfundojnë në vendin e tretë.
Botërori 2026 po afron dhe ky edicion ka ngjallur interes të madh, jo vetëm sepse do të organizohet nga tre vende: SHBA, Meksikë dhe Kanada, por edhe për shkak të formatit të ri të garës.
Formati i vjetër përfshinte 32 kombëtare të ndara në 8 grupe me nga 4 skuadra. Dy ekipet e para nga secili grup kualifikoheshin drejtpërdrejt në fazën e 1/16- ve, duke formuar 16 skuadrat pjesëmarrëse në fazën eliminatore.
Në Botërorin 2026 numri i pjesëmarrësve është rritur në 48 kombëtare, të ndara në 12 grupe. Nëse do të kualifikoheshin vetëm dy skuadrat e para nga çdo grup, numri i ekipeve të kualifikuara do të ishte 24, ç’ka nuk do të lejonte zhvillimin normal të një faze me 16 apo 32 skuadra.
Për këtë arsye, FIFA vendosi që edhe tetë ekipet më të mira të renditura në vendin e tretë të kalojnë më tej. Kështu, numri i skuadrave që avancojnë në fazën eliminatore arrin në 32 dhe shtohet një raund ekstra krahasuar me edicionet e mëparshme.
Fiton grupin… por mund të ndëshkohesh
Në formatin e vjetër, vetëm 50% e kombëtareve kalonin grupet. Në Botërorin 2026 do të kualifikohen 32 nga 48 skuadra, ose rreth 66%, duke e bërë kalimin më të lehtë. Megjithatë, kjo sjell pasoja në strukturën e shortit, i cili bëhet më kompleks dhe më pak i balancuar.
Nuk do të ekzistojnë më përballjet tradicionale mes fituesve të grupeve dhe skuadrave të renditura të dyta. Tetë fitues grupesh do të përfitojnë duke u përballur me ekipet më të mira të vendeve të treta, ndërsa katër fitues grupesh do të kenë kundërshtarë më të vështirë. Fituesit e Grupeve A, B, D, E, G, I, K dhe L do të ndeshen me skuadra të vendit të tretë.
Ndërsa fituesit e Grupeve C, F, H dhe J do të përballen me skuadra të renditura të dyta në grupet respektive.
Kjo do të thotë se Brazili, favorit për të fituar Grupin C, ku ndodhen edhe Maroku, Haiti dhe Skocia, do të ndeshet me skuadrën e vendit të dytë nga Grupi F.
Nga ana tjetër, Holanda, e konsideruar favorite në Grupin F përballë Japonisë, Suedisë dhe Tunizisë, do të duhet të përballet me skuadrën e vendit të dytë nga Grupi C.
Edhe Spanja, një nga pretendentet kryesore për titullin, pritet të fitojë Grupin H, ku bëjnë pjesë Kepi i Gjelbër, Arabia Saudite dhe Uruguai. Në këtë rast, spanjollët do të përballeshin me skuadrën e vendit të dytë nga Grupi J.
Në Grupin J ndodhet edhe Argjentina, e cila gjithashtu mund të penalizohet nga ky format ku ndan grupin me Algjerinë, Austrinë dhe Jordaninë.
Nëse fiton grupin, Argjentina do të ndeshet me skuadrën që përfundon e dyta në Grupin H. Duke analizuar nivelin e mundshëm të kundërshtarëve, Spanja duket se është skuadra më pak e rrezikuar, pasi mund të përballet me ekipe si Algjeria, Austria ose Jordania.
Argjentina mund të ketë kundërshtarë relativisht të lehtë si Arabia Saudite ose Kepi i Gjelbër, por gjithashtu mund të ndeshet që në fazën e 1/32-ve me një rival të fortë si Uruguai.
Brazili mund të përballet me Tunizinë ose me kundërshtarë shumë më të fortë si Suedia dhe Japonia, kjo e fundit në formë të shkëlqyer pas pesë fitoreve radhazi në ndeshje miqësore, përfshirë suksese ndaj Brazilit dhe Anglisë.
Ndërkohë, Holanda mund të jetë “viktima” më e madhe e këtij sistemi. Nëse nuk ka ndonjë surprizë nga Haiti, kundërshtari i saj nga Grupi C mund të jetë Skocia ose Maroku, skuadër që arriti deri në gjysmëfinalet e Botërorit të fundit në Katar. /Panorama Sport/
© Panorama.al












