FOTO/ Rruga 260 milione eurot e Ballukut, Çarje në “Qafë Plloçë–Qukës”, qarkullimi kryhet me një korsi! Traseja ka pësuar dëmtime si në pjesën qendrore, ashtu edhe në anësore

Jan 23, 2026 | 16:57

Një çarje është konstatuar në lotin e dytë të rrugës Qafë Plloçë–Qukës, në afërsi të kthesës së fshatit Trebinjë, duke shkaktuar probleme në qarkullimin e mjeteve.

qukes qafe plloce 1

Sipas informacioneve, traseja e rrugës ka pësuar dëmtime si në pjesën qendrore, ashtu edhe në anësore, çka ka bërë të nevojshme kufizimin e lëvizjes në këtë segment. Për arsye sigurie, qarkullimi i automjeteve vijon vetëm në një korsi, ndërsa pjesa tjetër e rrugës mbetet e bllokuar.

Burime nga terreni bëjnë me dije se firma kontraktore po monitoron në mënyrë të vazhdueshme situatën, ndërkohë që Autoriteti Rrugor Shqiptar është njoftuar dhe pritet të ndërhyjë për vlerësimin dhe riparimin e dëmtimit.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kalimit në këtë segment rrugor.

Edhe pse ka kushtuar rreth 260 milionë euro, aksi rrugor Qukës–Qafë Plloçë, i ndërtuar nga Belinda Balluku, vijon të paraqesë probleme serioze sigurie për udhëtarët. Rasti më i fundit u regjistrua më 7 janar, kur qarkullimi u bllokua për disa ditë si pasojë e rrëshqitjes së dherave dhe dëmtimeve në trupin e rrugës.

Po atë ditë, masa të mëdha dheu nga skarpati përfunduan mbi një automjet që po udhëtonte nga juglindja drejt Tiranës, duke vënë në rrezik jetën e drejtuesit të mjetit. Fatmirësisht, nuk pati viktima, por ngjarja ka rikthyer shqetësimet për sigurinë e këtij segmenti.

Shembjet e përsëritura kanë ngritur dyshime të forta për mënyrën e projektimit, mbikëqyrjen dhe cilësinë e ndërtimit të rrugës, e cila është promovuar si një investim strategjik për lidhjen e Lindjes me Perëndimin. Pas 14 vitesh punime dhe kostove të larta financiare, aksi po shihet gjithnjë e më shumë si një shembull i keqmenaxhimit të fondeve publike.

© Panorama.al

Te lidhura