Formacioni, Lala mbetet në stol

Sep 1, 2011 | 12:42

Stërvitja e djeshme ishte e kundërta e stërvitjes së ditës së hënë. Kryesisht dominuan veprimet me topin. Për të hyrë në atmosferën e stërvitjes, u kryen disa lëvizje të lehta në formë vrapimi. Dhe Kuzhe i jep dorën e fundit anës taktike, por duke vendosur më parë t’i kujtonte futbollistëve se duhej të luhej me topin, deri sa ta “lodhin” atë. Në 80 minuta, që zgjati stërvitja e djeshme, 40 të tilla Kuzhe i konsumoi në një ndeshje ndërmjet dy formacioneve të plota. Hapësira e lëvizjeve bëhej vetëm në një gjysmë fushë. Ujkani ruante portën me rrjetë, ndërsa në atë të improvizuarën qëndronte Hidi. I vetmi që nuk u përfshi në këto ndeshje, me shkallë të lartë lëvizshmëria, ishte portieri Shehi. Çfarë u vu re në këtë 40 minutësh? Formacioni i ndeshjes së të martës, përballë 17-vjeçarëve të Mustedanagiçit, nuk lëvizi. Ujkani në portë. Në të djathtë të mbrojtjes Dallku, në qendër Cana-Teli dhe në të majtë Vangjeli. Si një zgjatim i mbrojtjes dukeshin Curri dhe Bulku, të cilët sulmonin me merakun e kthimit të kokës mbrapa për t’i thënë Canës dhe Telit se “këtu jemi”. Skela mbetet qëndistari i sulmit, duke detyruar Bogdanin dhe Salihin të mos ecnin, qoftë edhe në një moment, me hap. Ndërkaq, Lala qëndroi tërë kohën me ekipin e dytë. Me këtë ekip ishte Januzi, i cili nuk kuptohej, se vetëm 24 orë më parë, kërcënohej nga një dëmtim në kofshë. Veçon në stërvitjen e djeshme një eurogol i Bakajt, që erdhi në kohën e duhur dhe si një sinjal kushtrimi për Kuzhenë, se mbase edhe ai është kartë e fortë kundër Francës që meriton të llogaritet. Por 80 minuta, Kombëtares shqiptare në stërvitjen e djeshme nuk iu nda topi nga këmbët.

© Panorama.al

Te lidhura