Komisioni Evropian po shqyrton mundësinë e nisjes së një faze të dytë të programit të huave SAFE, me vlerë disa miliarda euro për projekte mbrojtjeje, ndërsa Evropa synon të forcojë kapacitetet e saj mbrojtëse përballë shqetësimeve në rritje nga Rusia dhe pasigurive lidhur me angazhimet e SHBA-së për sigurinë.
Sipas Reuters, Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, deklaroi gjatë një aktiviteti të organizuar nga Politico në Bruksel, se programi fillestar prej 150 miliardë eurosh (176 miliardë dollarë) ishte tejkaluar në atë masë sa disa shtete anëtare po kërkonin tashmë një fazë të dytë.
Dy zyrtarët e BE-së, të cilët folën në kushte anonimiteti, thanë se Komisioni po e shqyrton seriozisht këtë mundësi.
Në kuadër të programit SAFE, BE-ja mori hua në mënyrë të përbashkët nga tregjet financiare me kosto të ulët, për t’ua rihuazuar më pas qeverive të vendeve anëtare për projektet e tyre të mbrojtjes.
Për shumë vende që nuk gëzojnë vlerësim kreditor “AAA”, kjo përkthehet në kursime të konsiderueshme. Për më tepër, këto hua mund të kenë afat maturimi deri në 45 vjet dhe periudhë greis prej 10 vjetësh për shlyerjen e principalit.
Komisioni ka marrë aplikime për hua me vlerë rreth 190 miliardë euro në kuadër të programit aktual SAFE, gjë që tregon se ekziston një kërkesë e fortë edhe për një edicion të dytë, sipas njërit prej zyrtarëve. Megjithatë, ai shtoi se është ende herët për të thënë se sa fonde mund të vihen në dispozicion nëse programi i ri miratohet.
“Besoj se do të jetë e nevojshme ta zhvillojmë këtë instrument. Pyetja është se kur,” tha zyrtari, duke nënkuptuar se viti i ardhshëm mund të jetë momenti i duhur. “Ka argumente të forta që na bindin pse është e rëndësishme ta kemi”, tha ai sipas Reuters.
© Panorama.al












