Forcat ruse godasin anijen turke që transportonte 4 mijë ton gaz në Odessa, alarm se mund të shpërthejë në çdo moment

Nov 17, 2025 | 18:13

Forcat ruse kanë goditur sot anijen me pronësi turke “Orinda”, e cila ndodhej e ankoruar në portin e Izmailit në Ukrainë, në rajonin e Odesës, pranë kufirit me Rumaninë.

anije turqi

Autoritetet lokale paralajmërojnë se situata është jashtëzakonisht kritike, pasi ekziston rreziku që anija “të shpërthejë në çdo moment”.

Sipas portalit “turkiyetoday”, anija transportonte rreth 4.000 tonë gaz të lëngshëm (LPG). Si pasojë e goditjes shpërtheu një zjarr i madh, çka detyroi autoritetet të evakuonin zonat përreth për arsye sigurie.

Drejtoria e Përgjithshme e Çështjeve Detare të Turqisë konfirmoi se të 16 anëtarët e ekuipazhit turk janë larguar në mënyrë të sigurt nga anija. Asnjëri prej tyre nuk është lënduar dhe të gjithë janë transferuar në një vend të sigurt, sipas njoftimit zyrtar.

Ekipet ukrainase të zjarrfikësve u nisën menjëherë drejt zonës së incidentit, ndërsa autoritetet ukrainase bëjnë të ditur se një vlerësim i plotë i dëmeve do të kryhet sapo zjarri të vihet plotësisht nën kontroll. Zyrtarët turq shtuan se po monitorojnë nga afër situatën dhe janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet përkatëse ukrainase.

Ndërkohë, edhe autoritetet rumune kanë shpallur gjendjen e alarmit, duke urdhëruar evakuimin e fshatit Plauru, pasi flakët janë afruar deri në rreth 500 metra nga zona e banuar.

Sipas rrjetit rumun Digi24, nga 100 deri në 150 banorë të Plaurut, fshat që ndodhet përballë Izmailit, në brigjet e Danubit, po largohen.

Kryebashkiaku i zonës, Tudor Cernega, deklaroi se shërbimet e sigurisë po kryejnë kontrolle “shtëpi më shtëpi” dhe po evakuojnë gjithashtu kafshët, për shkak të rrezikut të një shpërthimi të madh.

© Panorama.al

Te lidhura