FMN: Shqipëria të prodhojë statistika cilësore e të plota

Feb 25, 2011 | 12:44

Këto janë këshillat që nënvizon Fondi Monetar Ndërkombëtar në një raport të fundit dedikuar Shqipërisë dhe Gjeorgjisë, lidhur me asistencën teknike që i është dhënë institucioneve, të cilat prodhojnë statistikat në dy vendet respektive. Sipas FMN, Shqipëria ka ende shumë për të bërë dhe në këtë pikë, përgjegjësia nuk është vetëm e Institutit të Statistikave, por e forcimit të të gjithë institucioneve të tjera. “Kornzia e dobët institucionale, mungesa e burimeve të nevojshme dhe vëmendja e kufizuar publike vazhdojnë të pengojnë procedurat drejt të qenurit pjesë e standardit ndërkombëtar të statistikave”, thuhet në raport.
Cilësia e statistikave
Për FMN, puna që duhet të bëjë INSTAT duhet të kufizohet në dy aspekte: prodhimin e statistikave të një cilësie të lartë, si dhe shtimi i kategorive të publikimit. Lidhur me të parën, në raport vlerësohet se përgjegjësia bie mbi një sërë institucionesh, si dhe sugjerohet ndryshimi i disa teknikave të sigurimit të të dhënave. “Pavarësisht një sërë masave të rëndësishme, mbetet ende shumë për të forcuar kapacitetin institucional për prodhimin e statistikave të një cilësie të lartë, duke përfshirë zhvillimin e mëtejshëm të regjistrit të bizneseve, seleksionimit të të dhënave për procedurat (për momentin të gjithë vëzhgimet për biznesin zhvillohen përmes intervistave, si një praktikë tradicionale dhe sepse regjistri aktual i biznesit nuk mban adresat postare të sipërmarrjeve), si dhe përafrimin e teknikave statistikore (klasifikimet dhe anketa), aftësive të stafit, të kontrollit të cilësisë apo transferimit të njohurive”, thuhet në raport.
Kategoritë e paplota
Një pjesë e publikimeve të Institutit të Statistikave konsiderohen nga FMN si të plota, ndërsa një pjesë tjetër duhet që të jenë më të zgjeruara. “Më shumë punë duhet të bëhet për një seri të dhënash për kategorish. Këto përfshijnë GDP-në çdo tre muaj, mbulimi dhe anketat e INSIAT për investimet e huaja direkte duhet të përmirësohen për t’ju përafruar standardeve, indeksi i prodhimit industrial duhet të publikohet çdo muaj, indeksi i çmimeve të prodhimit duhet të publikohet gjithashtu çdo muaj dhe duhet të përmirësohet publikimi i statistikave tremujore për punësimin, papunësinë dhe pagat”, thuhet në raport. Gjatë 2011 theksohet se do të fillojë edhe publikimi më i plotë i të dhënave për papunësinë. Raporti dedikuar statistikave të Shqipërisë dhe Gjeorgjisë nxjerr në pah faktin që këto vende kanë marrë trajnimet e duhura për të pasur statistika të plota dhe se të dyja duhet të vijojnë me përafrimin e procedurave drejt standardeve ndërkombëtare të statistikave.

Nertila Maho

© Panorama.al

Te lidhura