FMN paralajmëron rrezik për 2012, eurozona do të ndikojë edhe në Kinë, Rusi e Brazil

Dec 27, 2011 | 12:19
Kristine Legarde

Presidentja e Fondit Monetar Ndërkombëtar tha se ekonomia botërore është në rrezik dhe u kërkoi europianëve të gjenin gjuhën e përbashkët mbi krizën e borxhit që ka tronditur sistemin financiar global. Gjatë një vizite në Nigeri, Kristine Legarde tha se parashikimi i rritjes së ekonomisë botërore për vitin 2012 prej 4 për qind mund të rishikohet edhe njëherë, duke shënuar ulje, por ajo nuk dha shifra të sakta se sa do të ishte kjo ulje. “Ekonomia botërore është në një situatë të rrezikshme”, ka deklaruar ajo për gazetën franceze “Journal du Dimanche”. Kriza e borxhit do të vazhdojë edhe përgjatë 2012, pasi marrëveshjet e arritura në Samitin e 9 dhjetorit të Bashkimit Europian i kanë qetësuar tregjet vetëm përkohësisht, dhe kjo “është një krizë e besimit në borxhin publik dhe në soliditetin e sistemit financiar”, tha ajo. Europianët arritën një marrëveshje në Samitin e 9 dhjetorit për një integrim më të madh ekonomik në eurozonë, por nuk është e qartë nëse kjo marrëveshje do të mjaftojë për të luftuar krizën e borxhit, e cila nisi në 2009 me Greqinë dhe tani po kërcënon edhe ekonomi të fuqishme si ajo e Francës, apo edhe Gjermanisë. “Samiti i 9 dhjetorit nuk ishte mjaftueshëm i detajuar në terma financiarë dhe shumë i komplikuar në principe themelore. Do të duhej që europianët të flisnin me një zë të përbashkët dhe të paraqesin një plan të thjeshtë e të detajuar. Investitorët presin për këtë. Principet e mëdha nuk impresionojmë më”, tha Legarde. Sipas saj, vende që deri tani kanë qenë makineri të zhvillimit të ekonomiste botërore, si Kina, Brazili dhe Rusia, do të ndikohen nga faktorët e destabilitetit të krijuar nga krizë në eurozonë.

© Panorama.al

Te lidhura