DURRES – Sektori i Antidrogës në Policinë e Durrësit, në bashkëpunim edhe me policinë kufitare, kanë marrë masa për të parandaluar trafikimin e lëndëve narkotike drejt Italisë, në këto ditë kur fluksi i pasagjerëve është mjaft i madh. Mësohet se është shtuar numri i oficerëve të cilët operojnë në terren, brenda territorit të portit, ndërsa janë shtuar kontrollet ndaj shtetasve dhe automjeteve. Brenda portit, shtetasit të cilët udhëtojnë me automjete, kontrollohen të paktën dy herë, në hyrje të portit dhe para se të hipin në traget. Masat e ashpra janë marrë pasi ditët e fundit të vitit që lamë pas, u tentua disa herë që të kalohej lëndë narkotike nëpërmjet kësaj pike kufitare. Madje, ditët që pati më shumë fluks, u tentua të transportohej rreth 800 kg canabis sativa. Mësohet se është hartuar një plan masash për lehtësimin e procedurave të kalimit në kufi, duke punuar si fillim me një kapacitet prej 32 sportelesh, ndërsa në ditët e pikut, në dispozicion të udhëtarëve do të vihen edhe 10 sportele të tjera. Nga pika kufitare e Portit të Durrësit, në këto ditë të para të vitit të ri janë larguar rreth 14 mijë shtetas me rreth 5000 mjete. l.m
KAKAVIJE
Situata në Kakavijë ishte paksa e ngarkuar dje, për shkak të fluksit të madh në ikje. Ndonëse grekët kanë punuar me kapacitet të plotë, ata apeluan që emigrantët të përdorin edhe rrugë të tjera alternative për kalimin drejt Greqisë. Gjatë 24 orëve të fundit janë larguar 5100 persona dhe 2 mijë mjete, përfshirë këtu edhe autobusë.
KAPSHTICE
Një defekt 30 minutësh në sistemin kompjuterik të palës shqiptare krijoi radhë dje në Kapshticë. Por në orët e pasdites, defekti u riparua dhe puna vijoi, ndonëse radha ishte bërë e gjatë. Mijëra emigrantë u detyruan të qëndrojnë në pritje, duke sfiduar edhe temperaturat e ulëta. Mes tyre kishte edhe gra e fëmijë.











