Florida, arrestohet kosovari, planifikoi sulme terroriste

Jan 11, 2012 | 13:00
Sami Osmakac

Një 25-vjeçar me origjinë nga Kosova u arrestua dje në Florida, Shtetet e Bashkuara, nën akuzën e planifikimit të sulmeve terroriste. Sipas mediave amerikane, synimi i Sami Osmakac ishte të godiste zona të populluara, në një plan të detajuar në të cilin përfshihej një autobombë, eksplozivë dhe mitraloza. Të afërmit e tij që jetojnë në fshatin Lubizhdë të Kosovës, e përshkruajnë atë si një djalë të qetë dhe gazmor. Halla e tij, Time Osmakac, është shprehur për agjencinë AP se: “Nuk besoj se e ka bërë atë për të cilën e akuzojnë. Nuk ka pasur fëmijë më të mirë këtu”. Por 25-vjeçari është vënë në kurth nga një agjent i FBI-së, i cili ishte personi që i ka shitur eksplozivët (të modifikuar që të mos funksiononin). Gjykata Federale në SHBA ka marrë si provë edhe një video tetëminutëshe të 25-vjeçarit, ku ai pranonte se do të bënte terror në Tampa Bej të Floridës për t’u hakmarrë ndaj padrejtësive që u bëheshin myslimanëve. Ai shfaqet i ulur këmbëkryq i armatosur me një pistoletë dhe një AK-47, duke deklaruar se: “Gjaku i myslimanëve është më i vlefshëm se i atyre që nuk besojnë në Islam”, citon agjencia AP. Prokurorët i kanë hedhur poshtë pretendimet se ai do të sulmonte në Konventën Ndërkombëtare Republikane, që do të mbahet në gusht në Tampa. Nëse shpallet fajtor, 25-vjeçari rrezikon burgim të përjetshëm.

© Panorama.al

Te lidhura